Live

Qe qysh na talli një deputete e VV-së për “ndihmën e Hungarisë” për anëtarësim në Këshill të Evropës

20:39 / 19 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Hungaria është praktikisht vetoja e gjashtë në Bashkimin Evropian për Kosovën.

Qysh në janar të 2023’ës kur plani franko-gjerman ishte “në formë të lëngshme” (cit: Albin Kurti) kryediplomati Peter Szijarto, me në krah asokohe ish-homologun e tij Ivica Daçiq, kumtonte se jo vetëm në Këshill të Evropës, por Hungaria do të votojë kundër “në të gjitha organet evropiane” ndaj Kosovës.

Ishte këngë në veshët e audiencës serbe se Budapesti – kryeqytet ky shtëpi e dytë miqësie për Beogradin – do të shikonte prapa “interesave të tyre”.

Lideri popullist Viktor Orban do të denonconte qeverinë kosovare për atë që merrte për predikament të serbëve të Kosovës të shkaktuar nga ekzekutivi.

Serbët janë përballur me provokime në dy vitet e fundit rregullisht…duhet ta kuptojmë kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër, mos provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje”, shprehej Orbandi në linjën serbe.

Hungaria u deklarua e para – prej shteteve njohëse – që s’ka votë për Kosovën as në nivel deputetësh ë Asamble Parlamentare të KiE-së e as në nivel qeverie në Këshilin e Ministrave të KiE-së.

Por, edhe më tepër se kaq. Ata s’donin as që të futej në agjendë që të shkonte aq larg sa të mbërrinte në Asamble Parlamentare. S’e donin fare në rend të ditës.

Para mëse një viti në mbledhje të Byrosë së AP KiE-së, shefi i delegacionit hungarez, Nemet Zholt, shtronte pyetjen “nëse është fare moment i mirë” për të vendosur në rend dite të takimit të Komitetit të Miknistrave asokohe-aplikimin e Kosovës.

Megjithatë, Hungaria ishte Hungari. Kosova kishte shtytës dhe aleatë që në KiE do ta fusnin për punë të kryer: Prej 46 anëtarëve, dy-të-tretat shtete njohëse mjaftonin që të anëtarësohej.

Gjermania, Franca, Italia e Mbretëria e Bashkuar (me mbështetje edhe të ShBA-së: i.e tërë QUINT-i) e kushtëzuan me Asociacionin, si pasojë e zotimeve/tërheqjes së vazhdueshme me “e zbatojmë, s’e zbatojmë”.

Me votë e pa votë të Hungarisë, KiE mbeti në fatin e procedimit ose jo të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banura me shumicë serbe.

Në krejt këtë kontekst që ndodhi gjer në fund të majit të këtij viti, Kosova e humbi së paku edhe një vit që aplikimi i saj të mbetet në sirtarët – deri te lëvizja drejt Asociacionit.

Por, por…një deputete e VV-së ka një ide më të mirë.

Deputetja me emrin Arbëreshë Kryeziu, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme ka gjetur se ku duhet kërkuar qaren: Bash te Hungaria.

Tha se fakti që tash Hungaria ka presidencën e BE-së – dhe kjo, siç e dimë, është kokëdhimbja e thuajse 26 shteteve anëtare të tjerë që s’lënë ditë pa u distancuar nga Viktor Orbani – Kosova do të kërkojë ndihmë nga (mbajeni frymën) Hungaria për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Me ambasdorin hungarez biseduam për raportet që Kosova ka me Hungarinë, por me theks të veçantë atë që Hungaria tashmë e ka kryesinë e Presidencës së BE-së dhe sigurisht që brenda kësaj periudhe sa ata e mbajnë presidencën synimi është që ne si Kosovë t’i shtyjmë para çështjet tona”, tha ajo në një konferencë tejet teknikisht-monotone për media.

Foli madje edhe – sërish mbajeni frymën – se si duhet bindur deputetët hungarez rreth Kosovës në KiE. Niveli vendimarrës me deputetë është tejkaluar qysh në prill kur aplikacioni i Kosovës ka kaluar nga Asambleja Parlamentare në Këshillin e Ministrave: pra është në nivel qeverish tash.

Diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët e Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe t’i bëjmë ata ta kuptojnë sa e rëndësishme është që të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin që kjo ndikon në stabilitetin evropian”, tha ajo.

Ne synojmë të rrisim bashkëpunimin me Hungarinë edhe në nivelin ndërparlamentar, prandja edhe kemi dërguar ftesë te homologu im në Budapest, dhe presim që Komisioni për Politikë të Jashtme presim që të vizitojë Kosovën deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të intensifiksojmë raportet ndërparlamentare, dhe të ndërtojmë bashkëpunim që deputetët të shohin nga afër se sa e rëndësishme është që Kosova të ndihmohet që të ec në agjendën evropiane”, përfundoi ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua