Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu i është kundërpërgjigjur kritikave për paraqitjen e Kurtit në Gjykatë për të dëshmuar, dhe refuzimit të tij kundrejt Prokurorisë Speciale.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se veprimi i Kurtit nuk është standard i dyfishtë, sepse sipas tij nuk ka refuzuar asnjëherë të jap dëshmi në Prokurorinë Speciale, por me kërkesë që kjo të bëhet në zyrën e tij.
Kryeziu shton se për rastin e kanosjes, hetuesit e kanë intervistuar në zyren e kryeministrisë.
Postimi i plotë:
Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar.