Live

Ragmi Mustafa dënohet për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar para 2 vitesh në Bujanoc

20:44 / 19 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ish-Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka thënë se është dënuar sot për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar para dy vitesh, e që thotë se kjo është hera e pestë që dënohet për këtë çështje.

Mustafa ka thënë se kjo është përndjekje e hapur ndaj simbolit kombëtar.

“Ky është një absurd dhe përndjekje e hapur ndaj simbolit tonë kombëtar, që nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për përndjekje politike, me qëllim frikësimin dhe censurimin e atyre që shprehin hapur identitetin e tyre kombëtar. Ky akt është presion kundër të ndryshmes dhe intolerancës ndaj të tjerëve, një qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk është vetëm tek flamuri, por liria jonë e shprehjes, e drejta për të ekzistuar dhe për t’u identifikuar si shqiptarë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se ndonëse nuk ka më ndonjë pozitë, po të kishte sërish ndonjë funksion do ta bënte të njëjtin veprim, pavarësisht pasojave.

“Fakti që një veprim simbolik si ky, trajtohet ende me ndjekje kundërvajtjeje tregon se sa larg ka shkuar kjo fushatë ndaj të drejtave tona. Kjo ‘baltosje’ e vazhdueshme, është si përpjekje për të dobësuar kauzën tonë për identitet dhe dinjitet. Lufta jonë për të drejtat tona vazhdon, pa marrë parasysh pengesat apo presionet që na bëhen. Nuk jam më në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar as punonjës i këtij institucioni siç deklarova në gjykatën e Vladiçki Han-it, dhe thash megjithatë, po të isha përsëri në të njëjtën situatë ose në një funksion tjetër, me vetëdije të plotë do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht pasojave! ”, ka shkruar Mustafa.

Shpërndaje në

U Kopjua