Komiteti i Punëve të Jashtme ka vlerësuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësim në BE në një raport të miratuar të mërkurën.
Sipas raportit, eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Raporti u miratua me 57 vota pro, 11 kundër dhe gjashtë abstenime në Komitetin e Punëve të Jashtme.
Aty u kërkuar nevoja urgjente për thellimin e reformave për anëtarësim në BE.
“Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Përmirësimi i pluralizmit dhe transparencës së medias mbetet thelbësor për të ndërtuar besimin e publikut”.
Ndër tjera, u kërkua të ketë kujdes ndaj keqpërdorimit të mjeteve financiare, manipulimit në media dhe kërcënimet kibernetike.
“Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënon institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE. Ata bëjnë thirrje për rezistencë më të madhe institucionale ndaj abuzimeve me financimin politik, manipulimit të medias dhe kërcënimeve kibernetike”, thuhet në raport.
Pos tjerash, u përmend edhe procesi zgjedhor më 11 maj, si dhe reformat në drejtësi.
“Raporti pasqyron zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut”.
“Progresi i bërë me reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëpritura, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien”, theksohet në raportin e BE-së.
Raporti do të paraqitet për votim në një seancë plenare të ardhshme të Parlamentit Evropian.