Live

Reagim i ashpër i Rohdes ndaj Listës Serbe: Nuk janë të vërteta deklaratat për mosintegrim

16:53 / 19 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Ambasadori në largim i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka reaguar ashpër lidhur me deklaratën e djeshme nga Lista Serbe, e cila kishte thënë se integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo ndonjë marrëveshjeje, duke e quajtur këtë deklaratë jo të vërtetë.

Në një postim në platformën X, Rohde theksoi se pikat që Lista Serbe i përmendi kanë qenë pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të procesit të dialogut.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013 përfshinte gjashtë pika që lidhen me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa marrëveshja e fundit e Ohrit, mbi udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013, përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën patronazhin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, u shpreh Rohde.

Ai kërkoi nga të gjithë që të mos bëhen deklarata të tilla, pasi sipas tij, ato mund të ndikojnë negativisht në proceset demokratike të Kosovës, duke përmendur edhe zgjedhjet e 12 tetorit.

“Interpretime të paqarta të dokumenteve ndërkombëtare të detyrueshme rrisin gjithashtu tensionet në një kohë tashmë të ndjeshme, përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ku komunitetet lokale serbe pritet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.”

“Prandaj, do t’u bëja thirrje të gjithëve të përmbahen nga bërja e deklaratave të tilla arbitrare, që mund të kenë qëllime të këqija dhe të dëmtojnë proceset demokratike, siç janë zgjedhjet e ardhshme,” tha Rohde. 

Shpërndaje në

U Kopjua