Rasti i rezervave shtetërore e çoi ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdarin, për herë të dytë në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK). Nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, Hajdari u përball sot me Prokurorin e Shtetit, ku dha intervistë pas më shumë se një viti nga hera e parë, raporton Klankosova.tv.
Ministrja në detyrë që po ballafaqohet me ligjin, hyri në objektin e Speciales para rreth një ore dhe pasi doli, akuzoi këtë institucion për mënyrën e trajtimit të rastit, e madje edhe konstatoi për ‘gabimet’ që i bëri prokurori, para të cilit heshti.
“Për këtë proces jetik për të gjithë ne, unë tani pyetem nga Prokuroria Speciale. Një pyetje vjen a është proces i ligjshëm, dhe si hyri Prokuroria Speciale për të marrë dokumente të klasifikuara. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në informacione sekrete, pa një procedurë në AKI. Ne si Ministri e Tregtisë, e kemi klasifikuar sekret sipas ligjit për mbrojtjen e informacionit. Prokuroria Speciale bëri gabim”, tha ajo.
Hajdari, e cila kishte vazhduar detyrën e saj në krye të dikasterit, përkundër dyshimeve nga organet e rendit dhe drejtësisë për veprime të kundërligjshme, sot tha se është turpshme se si po vepron prokurori Valdet Gashi, transmeton Klankosova.tv
“Këtë e ka konstatuar Inspektorati Policor me raportin se dy hetues shkuan pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport u dërgua në Prokurorinë Speciale për udhëzime të mëtejmë ndaj dy policëve, në realitet vet Prokurori Valdet Gashi ka liruar nga përgjegjësia këta dy polic. Vet Prokurori po shkel ligjin”, tha ajo.
Si e dyshuar për keqpërdorime në ministrinë e saj, ajo nuk pranoi të përgjigjet në asnjë nga pyetjet e gazetarëve dhe u largua menjëherë.
Në paraqitjen e saj të parë në Speciale, në prill të vitit të kaluar, Hajdari veproi si sot, duke shfrytëzuar të drejtën e saj për t’u mbrojtur në heshtje.
Kujtojmë se kjo çështje u bë kryelajm në muajin gusht të vitit 2023, kur u raportua për keqpërdorimin e rezervave, për çka disa persona përfunduan në pranga të Policisë, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të ministrisë së Hajdarit.