Ka shkuar në 22 numri i personave të vrarë nga ushtria izraelite në Libanin jugor, të cilët po përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Në mesin e viktimave janë gra, fëmijë dhe një mjek, ndërsa më shumë se 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Mëngjesin e së dielës, mijëra banorë u kthyen në qytete dhe fshatra përgjatë kufirit, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtritë libaneze dhe izraelite dhe OKB-ja, se rajoni mbetet i pasigurt.
Izraeli ka thënë se planifikon të mbajë trupat në jug përtej afatit sipas një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që i dha fund luftës me Hezbollahun vitin e kaluar dhe ka urdhëruar banorët të mos kthehen deri në një njoftim të dytë.
Marrëveshja kërkonte që forcat izraelite të tërhiqeshin nga Libani jugor pasi armët dhe luftëtarët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani u larguan nga rajoni dhe ushtria libaneze u vendos atje, brenda një periudhe 60-ditore që përfundoi mëngjesin e sotëm.
Izraeli ka thënë, megjithatë, se shteti libanez nuk i ka zbatuar plotësisht kushtet e marrëveshjes, ndërsa ushtria e vendit e mbështetur nga SHBA akuzoi dje Izraelin për vonimin e tërheqjes së tij.
Nga ana tjetër, OKB tha se kushtet nuk janë ende të përshtatshme për kthimin e sigurt të qytetarëve libanezë në Libanin jugor.