Live

Serbia nënshkruan kontrata miliardëshe me ShBA-të dhe vendet e BE-së, Kosova kërkon heqjen e sanksioneve

17:59 / 19 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Serbia po vazhdon nënshkrimin e kontratave miliardëshe me superfuqitë perëndimore. Një të tillë, shteti serb e ka nënshkruar dje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë.

Derisa Serbia po “shpërblehet” me kontrata të tilla nga vendet perëndimore, Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së.

Ndonëse ishte paralajmëruar heqja e shpejt e tyre, tani një gjë e tillë nuk duket në horizont. Kërkesat e Kosovës për largimin e këtyre masave nuk po merren parasysh nga vendet e BE-së.

Kryeministrin Albin Kurti edhe sot ka kërkuar nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese, të cilat ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar.

Në dreken e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është mbajtur sot në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se këto sanksione janë të padrejta.

Kryeministri Kurti fillimisht uroi znj. von der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës. Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, është thënë në komunikëtën e Zyrës së Kryeministrit.

Njohësit e politikes së jashtme e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe për afrimin e Serbisë me vendet perëndimore.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se Kosova me Qeverinë Kurti nuk po përfiton asgjë në arenën ndërkombëtare.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka thënë se Kosovës i duhet aleatët më shumë se kurrë.

Serbia dje e nënshkroi një marrëveshje me SHBA për investime strategjike në fushën e energjetikës. Kjo pas marrëveshjes me Gjermaninë për Litium, dhe me Francën për avionët e avancuar ushtarak. E Kosova? E izoluar, e snaksionuar, e përjashtuar. Kur miqtë tanë, ata pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim as të lirë e as të pavarur, që të gjithë, na thonë që jemi në rrugë të gabuar, është koha me e pa veten në pasqyre”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas saj, për Kurtin të gjithë liderët perëndimorë janë të këqij.

Nuk na ka faj kërkush. Biden i keq, Trump i keq, Mogerini e keqe, Borelli i keq, Greneli i keq, Lajcak i keq, Merkel e keqe, Scholz i keq, Macroni i keq, Rama i keq. Krejt na kanë faj. A po Albin? Vetëm ti e ke mirë. Ti edhe kush? Kush janë aleatët e tu Albin? Se pa aleatë nuk mundet as Amerika. Albin Kurti, Kosova është ma e madhe dhe më e rëndësishme se egoja jote”, ka shkruar Çitaku.

Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se Kosova po dëmtohet rëndë nga sanksionet e BE-së.

Ai ka bërë me dije se dëmet nga këto sanksione do të jenë afatgjate.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se deri me tani qindra milionë euro është vlera e projekteve të bllokuara.

Masat e BE-së”, më saktësisht sanksionet e BE-së, po i vuajnë qytetarët e Kosovës prej qershorit të vitit të kaluar, por jo Qeveria. Kur u vunë këto sanksione, Qeveria e Vetëvendosjes përpiqej ta minimizonte peshën e tyre, dëmin e tyre të pritshëm, duke thënë se janë të përkohshme. Masa të përkohshme i quante edhe BE-ja. Dëmet janë afatgjata: qindra milionë euro është vlera e projekteve të bllokuara deri tani. Sanksionet mbesin në fuqi. S’dihet kur do të hiqen. Duket se nuk do të hiqen gjatë qeverisjes aktuale të VV-së. Prandaj, Kosova po i vuan pasojat e Qeverisë së Vetëvendosjes”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua