Krerët e shtetit serb vazhdojnë të deklarojnë se nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Së fundmi kryeministrja serbe, Ana Brnabiq deklaroi se “nuk janë më larg dhe as më afër” kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë “se ku ishin pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, i cili vendosi të mos ketë sanksione.
“Ne nuk e kemi ndryshuar asnjë pikë që atëherë. Presionet ndaj nesh janë të mëdha”, ka thënë Brnabiq, për Radio Televizionin e Serbisë.
“Një situatë e tillë është mjaft e çmendur, as që e dinë nëse po na bëjnë më shumë presion për shkak të atyre sanksioneve apo Kosovës. Më duket se tani po na bëjnë më shumë presion për shkak të Kosovës, kështu që nuk mund të bëjnë aq shumë me sanksionet”, tha Brnabiq.
Ajo tha se “qëndrimi i Serbisë është parimor, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, duke thënë se vendet që po i bëjnë presion Serbisë për të vendosur sanksione janë “hipokrite”.
“Serbia duhet të trajtohet si një rast i veçantë për shkak të gjithçkaje që na është bërë në fund të shekullit të njëzetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë e një”, tha Brnabiq, duke iu referuar bombardimeve të Serbisë dhe gjithçka që pasoi rreth Kosovës.
Gazeta gjermane “Welt” dje raportoi Gjermania po shton presionin ndaj autoriteteve serbe për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Burime të gazetës nga qeveria gjermane thonë se rreshtimi me Rusinë do të kishte pasoja për Serbinë.
Berlini kërkon që Serbia të vendosë ose për rrugën drejt Bashkimit Evropian ose për partneritet me Rusinë, raportoi Welt dje.
Bashkimi Evropian disa herë ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.