Veriu i Mitrovicës është mbushur sërish me grafite.
Këtë herë, mesazhet e shfaqura nëpër mure kanë një përmbajtje të pazakontë për zonën, ato bëjnë thirrje për paqe, arsim dhe jetë normale.
Grafitet janë parë në muret e shkollës teknike si dhe në garazhet e Universitetit paralel në pjesën veriore të qytetit. Në to shkruhet: “Duam paqe”, “Duam të mësojmë”,”Duam jetë normale”,
por edhe një tjetër mesazh me nuanca politike: “S’jua japim Serbinë”, raporton gazetari korrespondent Urall Boshnjaku.
Të gjitha këto janë shfaqur vetëm një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, duke i vendosur nxënësit dhe qytetarët përballë këtyre mesazheve që në ditën e parë të kthimit në shkollë, tha Boshnjaku në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Kjo vjen disa ditë pas fshirjes së grafiteve me përmbajtje shoviniste dhe nacionaliste që kishin dominuar muret e qytetit më herët.