Live

Shea: Duhet të mbahet presioni ndërkombëtar mbi Beogradin që të bashkëpunojë në hetimin e Banjskës

20:37 / 21 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Në njëvjetorin e sulmit në Banjskë, ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj shtetit serb, i cili nuk ka marrë veprime kundër atyre që janë implikuar në këtë rast. Sipas tij, Serbia do ta përdorë këtë rast si pretekst për t`i zvarritur procedurat. Shea thotë se veriut të Kosovës i duhet një periudhë qetësie dhe zbatim i marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.

Shea, ish-zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, tha se mos dorëzimi i atyre që janë të implikuar në rastin e Banjskës do të përdoret qartë nga Serbia si pretekst për të zvarritur procedurat.

“Është zhgënjyese që Serbia ende nuk ka ndërmarrë veprime kundër atyre që janë të implikuar në sulmin e Banjskës të vitit të kaluar. Qeveria serbe ka kërkuar nga Prishtina informata dhe prova të cilat deri më tani nuk i janë dorëzuar. Pra kjo do të përdoret qartë nga Serbia si pretekst për të zvarritur procedurat. Në anën tjetër javën e kaluar, gjyqësori në Prishtinë publikoi një aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin në Banjskë. Këto aktakuza bazohen në një vit hetimesh dhe mbledhjes së provave, kështu që ky material duhet të përdoret nga Beogradi për të arrestuar individët në fjalë dhe gjithashtu nga vendet e tjera për t’i vendosur këta individë në një listë të urdhërarresteve për ndalimin e udhëtimit dhe arrestimit. Presioni ndërkombëtar duhet të mbahet mbi Beogradin për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e Banjskës dhe për të çmontuar strukturat e trajnimit dhe pajisjeve që qëndrojnë pas tij”, tha Shea.

Shea në një intervistë për RTKlive se presioni ndërkombëtar duhet të mbahet mbi Beogradin për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e Banjskës dhe për të çmontuar strukturat e trajnimit dhe pajisjeve. Sipas tij, dëshmitë e prodhuara tani nga puna e policisë dhe gjyqësorit të Kosovës japin bazë mbi të cilën mund të ushtrohet më shumë presion ndaj Serbisë.

Sipas tij, dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. “Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiq ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha ish-zyrtari i lartë i NATO-s. Për veriun e Kosovës, Shea tha se ka nevojë për një periudhë qetësie për të krijuar 4 autoritetet komunale dhe policinë multietnike, gjyqësorin dhe administratën publike dhe duhet të punohet në zbatimin e shumë hapave të normalizimit si ishtë rënë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës në Ohër vitin e kaluar.

Për zgjedhjet në SHBA dhe mundësinë që ato të ndikojnë në Kosovë, She nuk beson se SHBA-të do të jenë më pak të angazhuara, pavarësisht se kush fiton në SHBA.

Ai ka folur edhe për blerjen e avionëve që Serbia i ka blerë nga Franca. Sipas tij është më mirë që Serbia të blejë pajisje ushtarake franceze dhe evropiane, sesa armë ruse apo kineze.

Kurse i pyetur për se si Rusia përmes aleatit të saj Serbisë synon të destabilizojë rajonin dhe të minimizohet roli i saj në Ballkan, Shea tha se mënyra më e mirë për të minimizuar ndikimin keqdashës të Moskës është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shpërndaje në

U Kopjua