Live

Shëndeti mendor i lehonave, i harruar nga shteti?! (VIDEO)

20:35 / 05 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Gratë pas lindjes janë të ndjeshme dhe përjetojnë ankth e pasiguri. Andaj është e rëndësishme që atyre të iu ofrohet monitorim i vazhdueshëm që të mos ketë pasoja afatgjate.

Kështu është shprehur në një intervistë për Kiks Kosovën, psikologu klinik Ilir Havolli.

Sipas Havollit, grave lehona duhet të iu ofrohet ndihmë emocionale po aq sa fizike sepse edhe fjalët më të vogla ndikojnë në luhatjet e emocioneve të tyre.

Për shumë gra, problematika kryesore është rikuperimi nga traumat psiqike dhe fizike pas procesit të lindjes.
Sipas psikologut, koha e zgjatjes së kësaj faze varet se sa mbështetje marrin ato nga rrethi familjar i tyre.

Havolli, numrin e pakët të psikologëve klinik në QKUK e konsideron shqetësues, andaj edhe kërkon që të zgjidhet më shpejt kjo çështje nga institucionet përkatëse.

Sipas Kryetarit të Shoqatës së Psikologëve, qeveria e Kosovës do të duhej t’i kushtonte më shumë rëndësi shëndetit mendor. Sepse duke parë investimin e pakët në këtë fushë, vërehet sipas tij edhe mosinteresimi për ta përmirësuar gjendjen aktuale.

Sipas raportimeve mediatike, vetëm 6 Klinika të QKUK-së, nga 37 sa janë gjithsej kanë psikologë, këtu përfshihen Klinika e Onkologjisë, Klinika e Gjinekologjisë, Klinika e Pediatrisë, Klinika e Neurologjisë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike dhe Klinika e Psikiatrisë.

Shpërndaje në

U Kopjua