Live

‘Shqipëria, një Itali e re’, Rama: E bekuar nga Zoti, e mallkuar nga historia

10:04 / 24 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të jetë një Itali e re ku vendin e ka bekuar Zoti, por e ka mallkuar historia ndër vite.

Këto deklarata, ai i bëri në një intervistë me Richard Attias, organizatorin e  njohur të FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), platforma globale që pas Miamit erdhi për herë të parë në Evropë, raporton Abcnews.al, transmeton Klankosova.tv

Richard Attias: E zbulova vendin tuaj – e them me modesti të plotë – vetëm para pak muajsh me gruan time dhe ramë në dashuri me këtë vend, me njerëzit e tij dhe sa herë njerëzit na pyesin, “çfarë mendoni për Shqipërinë” – nuk e di nëse ju pëlqen krahasimi im – por unë mendoj se jeni Zvicra e re e Europës. Jeni fiks në qendër të Europës dhe nga pikëpamja gjeografike keni edhe më shumë të drejtë të jeni qendër për Europën. E dyta, kultura. Larmia e kulturave, larmia e besimeve fetare, një vend i paqtë, një vend tolerance. Pse keni qenë kaq të heshtur deri më sot? E gjithë bota po zbulon tashmë Shqipërinë, po zbulon Tiranën. Nëntëdhjetë për qind e delegatëve tanë janë të habitur pozitivisht me zgjedhjen që bëmë dhe mendoj që ky është vetëm fillimi. Si prisni të jetë e ardhmja e Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, vetëm 28 000 kilometër katrorë, ku gjen dy dete,  male, nëntë lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar, por, nga ana tjetër, ky vend ka vuajtur tej mase nga stigma dhe ka qenë shumë e vështirë t’i sillje njerëzit në Shqipëri ngaqë stigma ishte shumë e madhe. Pastaj, kur erdhën, sa herë vinin, thoshin: “Oh, po këtu nuk është siç e prisnim”. Tashmë, kemi dalë përtej dhe vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë turistë, e kjo është shifër e jashtëzakonshme për një vend me vetëm 2,4 milionë. Tani, po kërkojmë të marrim atë çfarë me shumë mirësi po sillni ju në vend, ekselencën, cilësinë më të mirë, sepse na duhet të vëmë një ekuilibër midis masives dhe cilësores, në të kundërt, rrugës, mund të humbim, jo vetëm mundësinë për të qenë Zvicra, që  nuk mendoj se e kemi, por edhe mundësinë për të qenë një Itali e re.

Shpërndaje në

U Kopjua