Nëse po pyetni veten se qysh ka mundësi që në kohën e agresionit në Ukrainë nga Rusia (aleat historik i Serbisë, jo i Kosovës) dhe në kohën e Albin Kurtit kryeministër të ndodhte që Kosova të humbte njohjen, të merrte Asociacionin dhe ta zgjaste edhe për dekada tjera status quo-në me Serbinë, atëherë duhet ta mendoni gjatë Besnik Bislimin. Bislimi është kryenegociator i Kosovës.
Ai gjatë ditës së djeshme, e dha një intervistë për RTK-në ku u shfaq… skandaloz.
Në këtë paraqitje televizive, z. Bislimi foli për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, ani pse kryenegociator dhe ani pse duhej ta dinte përmbajtjen në gjumë, ai doli se madje as nuk i dinte nenet e këtij propozimi.
Pesëshi
Le t’i lexojmë këto fjalë nga Bislimi, që na tregojnë se… ai nuk e njihte aq sa do të duhej.
“Le të themi që ne e kemi bërë një koncesion të madh, jo kompromis. Koncesion nënkupton që ne jemi dakorduar me palën evropiane se për aq kohë sa pala evropiane nuk i ka karrotat dhe shkopinjtë e domosdoshëm për të detyru Serbinë që të jetë konstruktive – ata nuk e kanë mundësinë ta sjellin Serbinë në tavolinë për me finalizu marrëveshjen me njohje reciproke – por ata i kanë tregu përmes dokumentit bazë, paragrafit pesë, që bisedimet vazhdojnë.” – tha ai.
Problemi është që kjo pjesë ndodhet në nenin/paragrafin gjashtë dhe jo pesë të propozimit të BE-së.
Dikush mund të thotë, mos ka gabuar pa dashje. Por, jo! Në fakt, Bislimi edhe më vonë gjatë intervistës e përsërit që “bisedimet vazhdojnë” në nenin pesë.
Kisha Ortodokse Serbe
I pyetur se për çfarë arsyesh ishte Kisha Ortodokse Serbe në këtë propozim, Bislimi fillimisht shprehet se nuk e di arsyen por më pas e di arsyen.
“Tash pse është në atë nen (Kisha Ortodokse Serbe) duhet me e pyet ekipin e z. Scholz dhe ekipin e z. Macron meqë ata e kanë dizajnu propozimin. Ka mujtë të jetë nen i veçantë.” – tha në fillim.
“Sepse statusi i Kishës Ortodokse është edhe pjesë e Planit të Ahtisaarit… Bashkimi Evropian don me pa një përkushtim të Kosovës në mbrojtje të minoriteteve…” – u shpreh më pas.
Ne te neni 10, BE-ja te neni 7
Për ta ilustruar logjikën skandaloze të kryenegociatorit Besnik Bislimi mund të lexoni edhe fjalinë e tij vijuese, ku tregon se si Kosova e sheh Asociacionin vetëm te një nen i caktuar e BE-ja e sheh te një nen tjetër. “Wtf?” – siç do të thoshte z. Edi Rama.
“Ne e shohim (Asociacionin) në nenin 10 tek marrëveshjet e kaluara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara… me gjasë sipas një interpretimit të Bashkimit Evropian, ata Asociacionin e shohin edhe tek pika 7, pjesa e parë, te vetëmenaxhimi. Që tregon se për Bashkimin Evropian nuk po flitet për të drejta kolektive të komunitetit, komunikimit por për një lloj koordinimi për koordinimin e aktiviteteve të komunave me shumicë serbe.”
Dmth, është propozim i BE-së për normalizim, por qysh në nisje Kosova e sheh ndryshe ndërsa BE-ja e sheh ndryshe. A thua vallë, si e sheh Serbia?
Mos-besim te BE-ja
Ndoshta pa dashje, z. Bislimi shprehu haptas e publikisht edhe mos-besim te ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.
Ai u shpreh se kishte qëndruar në Parlamentin Evropian, edhe sepse faqja e BE-së mund të mos e jepte të vërtetën e plotë të asaj që kishte ndodhur në negociata.
“Ça ka ndodh mes z. Kurti dhe z. Vuçiq dhe z. Bislimi e z. Petkoviq është transmetu kryekëput tek palët e treta nga një adresë: ka qenë EEAS-i. Edhe unë kam dashtë që vendet e treta ta marrin edhe këndvështrimin tonë dhe pastaj t’i krahasojnë se mos ka informim jo të plotë ose joadekuat për zhvillimet…” – tha Bislimi.
Njohja
Besnik Bislimi u shpreh në mënyrë kontradiktore në lidhje me njohjen reciproke.
Siç mund ta lexoni më lart, ai e quajti “koncesion të madh” humbjen e njohjes nga Serbia. Por, më pas gjatë intervistës do të thoshte se “Na në këtë marrëveshje jemi duke marrë, jo duke dhanë…”
Ndërkohë, shihni se çka thotë krejt në fillim të intervistës kur faktikisht e pranon se gjithçka që po thotë opozita vendore është e drejtë:
“…mungon njohja reciproke si qëllimi final, mungon neni për shembull që tregon garanci të forta të bashkësisë ndërkombëtare që ato avancime të cilat janë të parapara në nenet e para sidomos me siguri të plota do të implementohen.”
Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës tregon edhe vetë personalisht skepticizmin e tij se kjo mund të futet disi në aneksin e propozimit. Lexojini këto fjalë… morbide:
“Mendoj që këto garanci do të jetë pak e vështirë të prezentohen edhe në aneks për shkak se ka një mosunitet brenda bashkimit evropian rreth njohjes së Kosovës.”
Trashëgimia e të kaluarës
Besnik Bislimi konsideron që një term në preambulën e marrëveshjes është përkthyer keq nga anaglishtja në gjuhën shqipe.
I pyetur se çka nënkuptonte “për të kapërcyer trashëgiminë e të kaluarës”, ai u shpreh si vijon:
“Tash fjala në gjuhën angleze nuk është për të kapërcyer por “to overcome” e cila pastaj kur ka vullnet për interpretim joadekuat mund të interpretohet me kapërcim, falje, harresë me gjithçka. Çështja është “të adresohet” e kaluara.”
Megjithëse është e qartë se folja “to overcome” është më afër foljes “kapërcim” e “tejkalim” se sa “adresim”.
Por, fatkeqësisht z. Bislimi nuk tregoi se si do të adresohej trashëgimia e të kaluarës. Nuk e dinte, ani pse mund të shihet derisa provon të gjejë fjalët.