Ndërsa Kosova u afrohet zgjedhjeve të saj parlamentare më 9 shkurt, vendi përballet me disa sfida kritike që mund ta formësojnë të ardhmen e tij.
Një nga to është Asociacioni.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje qysh në vitin 2013, por Kosova nuk e zbatoi atë, nga frika se mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.
Në vitin 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën edhe atë që njihet si Marrëveshja Bazë, e cila, përveç një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, kërkon nga palët që ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe t’i njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.
Serbia, në disa raste, është shprehur kundër saj dhe, sipas Kurtit, Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.
Duke folur së voni në një intervistë për median kosovare Kosovapress, Kurti tha se Asociacioni nuk duhet të vendoset në qendër të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Marrëveshja Bazë, e cila e adreson edhe çështjen e Asociacionit, duhet të zbatohet tërësisht.
“Unë besoj që duhet të përqendrohemi te Marrëveshja Bazë. Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Le të adresohet aty”, tha Kurti.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se formimi i Asociacionit është obligim i Kosovës, edhe për shkak se është pranuar nga ana e Kurtit me anë të Marrëveshjes Bazë.
“Për ne është me rëndësi që të respektohet Kushtetuta”, thotë Ahmetaj, por nuk specifikon se cili është plani i PDK-së për Asociacionin në të ardhmen.
Bashkësia ndërkombëtare ka hartuar një draft-statut për këtë asociacion dhe ka kërkuar nga Kosova që ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese – gjë të cilën Kosova nuk e ka bërë.
Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ky draft-statut është rezultat i Marrëveshjes Bazë, të cilën ai e konsideron si të keqe.
Ai thotë se në rast se LDK-ja i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit dhe merr pushtetin me në krye liderin e saj, Lumir Abdixhiku, do të bëjë përpjekje për rishikimin e draft-statutit të Asociacionit, në mënyrë që ai të mos jetë në kundërshtim me organizimin kushtetues të Kosovës.
“Dokumenti, si i tillë, para se të kalojë në shkallën tjetër [për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese] duhet – me ndërmjetësit ndërkombëtarë, në veçanti me rol të forcuar të amerikanëve në këtë proces – të shihet, që të jetë në përputhje me obligimet, zotimet kushtetuese që i ka Republika e Kosovës”, thotë Haziri.
Lulzim Blaka, zyrtar për informimin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se kandidati për kryeministër i kësaj partie, Ramush Haradinaj, planifikon që draft-statutin për Asociacionin ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Pas përgjigjes së Kushtetueses, duhet të procedohet sipas obligimeve që i ka marrë Kosova si shtet”, thotë Blaka, duke shtuar se kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.