Live

Si mund të votojë mërgata në zgjedhjet e 9 shkurtit, votimet edhe në ambasada e konsullata, në 22 shtete

10:01 / 09 Janar 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votim.

Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votimin jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës: 

Si duhet të votoni?

Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.

Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin

1. Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.

2. Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.

3. Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.

4. Pasi të plotësoni fletëvotimin:

Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.

Mos shkruani asgjë mbi zarf!

Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin

1. Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.

2. Brenda zarfit të dytë, vendosni:

– Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.

– Dëftesën e regjistrimit.

3. Mbi zarfin e dytë:

– Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ-së).

– Vendosni një pullë postare.

4. Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.

Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:

– Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).

– Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.

Këtë herë, KQZ-ja u ka mundësuar shtetasve të Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, të votojnë edhe nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës në 22 vende të botës.

Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.

Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:

Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Zvicër.

Share Now

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...