Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë janë apostrofuar nga përfaqësues të shoqërisë civile si pengesë për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Dukuria e korrupsionit, sipas përfaqësuesve të organizatave vendore joqeveritare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Kosovë, po e ngufatë zhvillimin e vendit dhe po e zbeh të ardhmen integruese të Kosovës në strukturat e BE-së.
Bazuar në raportet e shumta që prezantuan disa nga organizatat joqeveritare gjatë javës kundër korrupsionit, del se Kosova nuk ka shënuar rezultate të duhura në zotimet e marra për luftimin e kësaj dukurie.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike e Politike, tha për Radion Evropa e Lirë se ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, janë duke pamundësuar luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Sipas saj, kohëve të fundit, nuk ka pasur asnjë rezultat konkret në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimit të performancës së sektorit të drejtësisë.
“Një problem në sistemin e drejtësisë mbetet kualiteti i ciklit të vendimmarrjes, duke filluar nga procesi i hetimit, ngritja e aktakuzës e deri të vendimmarrja finale në gjykatë. Problemet kryesore mbesin te përgatitja joprofesionale e prokurorëve, mungesa e profilizimit të prokurorëve, sidomos në rastet e shpëlarjes së parave si dhe ndikimi politik”, tha Loxha.
Ajo konsideron se për një luftë të ashpër kundër korrupsionit është i domosdoshëm procesi i vettingut dhe jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në institucione të tjera të ekspozuara ndaj korrupsionit.
Riccardo Serri, shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Integrimit Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, në një nga debatet e mbajtura për javën kundër korrupsionit tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e përditshme.
“Korrupsioni duhet të luftohet çdo ditë dhe janë institucionet ndërkombëtare dhe vendore të përfshira në këtë luftë në baza ditore. Si Bashkim Evropian, veçanërisht në këtë javë (Java Kundër Korrupsionit) kemi qenë shumë aktivë”, tha Serri.
Ai tha se Bashkimi Evropian e ndihmon Kosovën në forma të ndryshme për të luftuar korrupsionin.
“Për shembull, projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK), ka për qëllim që të sjellë në Kosovë standardet e BE-së, standardet ndërkombëtare, sa i përket luftimit të korrupsionit dhe shpëlarjes së parave. Po ashtu, ne kemi ndihmuar institucionet e Kosovës të miratojnë ligje që janë kruciale për të pasur mjetet e nevojshme për të luftuar korrupsionin”, deklaroi Serri, duke shtuar se është një ide e përhapur se gratë janë më pak të korruptuara se burrat.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, ka deklaruar se kategoria e njerëzve më të pasur në Kosovë ndërlidhet me funksionarët politik.
“Ne po e shohim që në një mënyrë apo në një tjetër, kategoria e njerëzve më të pasur në Kosovë ndërlidhet me funksionarët e lartë publikë dhe politikë. Por, në anën tjetër kur i shohim pasuritë që deklarohen të Agjencia Kundër Korrupsionit, vërtet janë pasuri që shkojnë deri në shifra milionëshe dhe automatikisht krijohet bindja që aty mund të këtë pasuri të paligjshme”, tha Demhasaj.