Live

Skandali me rezervat shtetërore | Kurti duhet të hënën të paraqitet në Prokurori, sot refuzoi të përgjigjet nëse do të shkojë

13:56 / 12 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Në vlugun e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje dhe figura të Qeverisë që drejton Kurti, kanë tentuar që një ftesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës për Kurtin si dëshmitar për skandalin me rezervat shtetërore, ta paraqesin si një ndërhyrje të sistemit të drejtësisë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka qenë i pari që ka dhënë kumtin se shefi i tij është ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Kryeziu, pa përmendur fare detaje të ftesës dhe për atë se për çfarë ishte ftuar kryeministri Albin Kurti nga dy prokurorët kosovarë, kishte lidhur kohën e ftesës së Kurtit me zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në profilin e tij në “facebook” kishte thënë se përmes këtij veprimi, Prokuroria Speciale po ndërhyn direkt në zgjedhje.

Megjithatë në ftesën, foton e të cilës e kishte publikuar vetë Kryeziu, specifikohej në krye të herës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftohen në cilësinë e dëshmitarit.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, kishte shkruar Kryeziu duke i dhënë dramacitet ftesës për liderin e LVV-së.

Reagim të menjëhershëm për ftesën e Kurtit kanë bërë edhe figura të tjera të LVV-së. Ka qenë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili njëjtë sikurse Kryeziu, ftesën për Kurtin e ka lidhur me fushatën zgjedhore, transmeton express.

“Pse kjo nguti i nderuar prokuror? Fushata fillon ne janar”, ka shkruar mbrëmë Bislimi.

Në ftesën që mbanë datën 10 dhjetor 2025, dy prokurorët special Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi e kanë ftuar Kurtin në cilësinë e dëshmitarit. Bëhet fjalë për rastin e Prokurorisë Specaiale PPS.nr.62/2023, e që lidhet me skandalin e rezervave shtetërore ku janë të përfshirë Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Kurti sipas ftesës duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës me datë 16 dhjetor 2024 në orën 09:30 në mëngjes. Gjithashtu kryeministrit në fund të ftesës i është bërë e qartë që mund të detyrohet të paraqitet si dëshmitar dhe nëse refuzon që të dëshmojë edhe pas shqiptimit të gjobës, ai mund edhe të burgoset.

Gazetarët sot kanë bërë përpjekje që të marrin një qëndrim të Kurtit nëse do të paraqitet në Prokurori Speciale për të dëshmuar lidhur me aferën e rezervave shtetërore, megjithatë ai s’është ndalur fare për t’iu përgjigjur mediave, ndërkohë që mbrojtja e afërt ishin kujdesur që t’ia hapnin rrugën.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...