Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur e ngazëllyer pas rezultateve pozitive të një sondazhi të fundit televiziv, i cili e renditi LDK-në të parën ndër partitë e tjera politike sa i përket listës zgjedhore më të preferuar nga qytetarët e Kosovës.
“Krenohemi me vlerësimin që qytetarët po ia japin listës sonë zgjedhore. Sot më shumë se kurrë jemi të vendosur ta udhëheqim vendin drejt zhvillimit, shpresës dhe ndryshimit. Besimi qytetar është motivuesi më i madh. Bashkë do të bëhemi ndryshimi që i duhet Kosovës!”, ka shkruar LDK-ja në platformën “Facebook” të enjten.
Një sondazh i transmetuar të mërkurën në një prej kanaleve televizive tregoi se 44 për qind e qytetarëve mendojnë se subjekti më i vjetër politik në vend i ka kandidatët “më të mirë” për deputetë. Në vendin e dytë u rendit Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Bartës i listës së LDK-së do të jetë kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për postin e kryeministrit të Kosovës. Top 10-shen e LDK-së e përbëjnë pesë deputetë aktualë të legjislativit dhe kryetarë e ish-kryetarë të komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mesin e 28 subjekteve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka certifikuar 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur.
Ndryshe, partitë politike ende nuk e kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare që janë caktuar në fillim të vitit të ardhsëm. Por, përderisa Kosova ka hapur sezonin zgjedhor, shumë prej liderëve kanë nisur të mobilizohen në kuadër të rutinës përgatitore për betejën zgjedhore, në një kohë tejet sfiduese për vendin.