Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se më 15 shtator, Mbrojtja në gjykimin e Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij do të fillojë paraqitjen e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me dëshmitarin e parë të thirrur nga Mbrojtja.
Sipas Speciales, seanca pritet të jetë kryesisht publike. Seanca do të fillojë në orën 9:00 dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë.
Klan Kosova ka raportuar ditë me parë se me kufizime do të shfaqen edhe dëshmitarët tjerë të cilët i thërret mbrojtja e Hashim Thaçit nga 15 shtatori e tutje, ngaqë Qeveria Amerikane i ka lëshuar lejet për të rrëfyer çështje të caktuara dhe të mos lëshohen në informacione konfidenciale. Për t’i respektuar këto, do të monitorohen.
Për Klan Kosovën, Luka Misetiq, avokat kryesor i Hashim Thaçit, ka thënë se: “Përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara janë autorizuar të jenë të pranishëm gjatë dëshmive. Një aplikim zyrtar për këto masa do të dorëzohet sa më parë të jetë e mundur”.
Në ndihmë të katërshes së UÇK-së i vjen edhe Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa, në njoftimin e sotem Specialja ka theksuar se për shkak të interesit të lartë për seancën, për ta ndjekur seancën nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës në Hagë kërkohet regjistrim paraprak.
“Për t’u regjistruar paraprakisht dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected]. Ju lutem mbani parasysh se vendi juaj konfirmohet vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me mesazh elektronik (email). Mesazhet elektronike të konfirmimit do të dërgohen jo më vonë se 11 shtatori 2025. Organet e interesuara të medias duhet të njoftojnë nëse kanë nevojë t’u rezervohet një vend në qendrën për median”.
“Ju lutemi personave që do të ndjekin seancën nga galeria për publikun të mbajnë parasysh Rregullat e sjelljes në mjediset e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve nw rastin e Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt2023. Kjo është dhe Aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza përkrime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.