Live

Stano tha se Kosova s’ka dorëzuar raport për Banjskën, Bajrami publikon dokumentet që i çoi drejt BE-së

09:38 / 26 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka publikuar një kronologji të informatave të cilat thotë ai se Kosova ia ka dërguar Bashkimit Evropian në lidhje me hetimet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një postim në platformën X, Bajrami i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili tha se Kosova ende s’ka dorëzuar një raport të plotë hetimi për Banjskën.

Sipas tij, Kosova ka dërguar jo një, po disa raporte.

Më 24 shtator, ditën e sulmit, Bajrami thotë se janë dërguar informacione urgjente për sulm terrorist. Dokumenti kishte dy faqe.

Dy ditë më vonë, më 26 shtator, sipas tij, është dërguar dokumenti prej 12 faqesh me informacion fillestar.

Më 28 shtator ambasadori kosovar pohon se është dërguar dokumenti 10 faqor me informacione faktike, teksa më 9 tetor është dërguar kopje fizike e gjetjeve preliminare, dokument ky prej 46 faqesh, që i është dorëzuar delegacionit të EEAS-it.

Më 18 tetor, Bajrami thotë se gjetjet u janë dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s.

“Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm” shkroi ai.

Ndryshe, Stano dje tha se autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi, teksa u shpreh që Kosova nuk e ka dërguar ende raportin për Banjskën.

Në lidhje me hetimin (për Banjskën): Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...