Live

Sulm me thikë në një qendër tregtare në Melbourne, katër të plagosur – një i arrestuar, dy në kërkim

11:05 / 25 Maj 2025

Nga Kosova Live

Një sulm me thikë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në qendrën tregtare Northland në Preston të Melbourne-it, Australi, ku si pasojë janë plagosur katër persona.

Sipas mediave australiane, autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke bllokuar zonën dhe duke kryer evakuimin e vizitorëve të qendrës tregtare. Një person është arrestuar si i dyshuar për kryerjen e sulmit, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim të plotë dhe nuk ka ende konfirmim nëse bëhet fjalë për një sulm të planifikuar apo të rastësishëm. Gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk është bërë publike deri më tani.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion rreth incidentit të paraqiten për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, personat që u bllokuan në qendrën tregtare gjatë operacionit të policisë janë larguar të sigurt. Pritet që në orët në vijim të publikohen informacione zyrtare për motivet dhe identitetin e të dyshuarve.

Shpërndaje në

U Kopjua