Denoncimi i një qytetari kundër një zyrtari policor bë Mitrovicë rezultoi me nisjen e hetimeve ndaj të dy palëve, për dy vepra të ndryshme, pas një konflikti që dyshohet se ndodhi në një lokal në rrugën “Mbretëresha Teutë”. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, ndërsa tashmë janë deklaruar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sinjali mëson se qytetari që raportoi rastin është një 73-vjeçar, i cili u ankua për policin fillimisht si viktimë. I njëjti po hetohet për kanosje, ndërsa zyrtari policor nën dyshimet për sulm.
Përfshirja në këtë mosmarrëveshje, derisa ishte jashtë detyrës zyrtare, i ka kushtuar me suspendim policit në fjalë.
Lajmin e ka konfirmuar IPK në një përgjigje për Sinjalin, ku thuhet se hetuesit pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera me qëllim zbardhjen në plotni të incidentit.
“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje në mes të dy personave (një qytetar dhe një zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare).
Zyrtari policor është suspenduar kurse hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.”
Nga Policia Rajonale në Mitrovicë kanë bërë të ditur se qytetari që e denoncoi rastin ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga polici, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Por pas sigurimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se edhe ai është i përfshirë në rast., pasi dyshohet se e ka kanosur zyrtarin policor me thikë.
“Njësitet policore kanë konfiskuar mjetin-thikën, ndërsa lidhur me rasti është informuar edhe prokurori e IPK-ja. Rasti duke u hetuar.”