Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për një takim me kryetarët e degëve të kësaj partie, ‘’për të nisur betejën’’ e madhe që janë zgjedhjet lokale.
Abdixhiku ka thënë se LDK është gati të flasë me secilin qytetar, dhe të dëgjojë shqetësimet e tyre.
‘‘Kandidatët tanë janë njerëzit e punës, të përgjegjësisë, të shpresës. Ata do të jenë kudo pranë jush, sepse ky është misioni ynë: të shërbejmë, të rikthejmë besimin, të kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit’’, ka shkruar ai mes tjerash, transmeton Periskopi.
I pari i LDK ka bërë thirrje edhe që t’i jepet fund papërgjegjësisë, dhe t’i jepet shpresë Kosovës.
Postimi:
U mblodhëm sot me Kryetarët e Degëve për të nisur betejën tonë të madhe, zgjedhjet lokale.
Nga hapja e fushatës më 13 shtator në Prishtinë, deri tek dita e fitores më 12 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës është gati! Gati të hyjë në çdo lagje, çdo fshat e çdo qytet. Gati të flasë me secilin qytetar, të dëgjojë çdo shqetësim, e të bëjë të ardhmen që meriton ky vend.
Fushata jonë do të jetë e ndershme dhe plot shpresë.
Kandidatët tanë janë njerëzit e punës, të përgjegjësisë, të shpresës. Ata do të jenë kudo pranë jush, sepse ky është misioni ynë: të shërbejmë, të rikthejmë besimin, të kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit.
Le t’i japim fund papërgjegjësisë. Le t’i japim vendit tonë shpresën që meriton. Le ta kthejmë LDK-në aty ku e ka vendin – forcë udhëheqëse e shtetit.
Zoti na bekoftë!
Zoti e beloftë Republikën tonë!