Live

Të pagjeturit, BE-ja konfirmon se delegacioni i Kosovës dhe Serbisë takohen nesër në Bruksel

13:11 / 14 Janar 2025

Nga Kosova Live

Të mërkurën e 15 janarit në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Nga Bashkimi Evropian është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net për takimin e nesërm të këtij Komisioni, e që është pjesë e Deklaratës Politike të vitit 2023 për Personat e Zhdukur.

“Të mërkurën, më 15 janar 2025, do të zhvillohet në Bruksel takimi inaugurues i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, i krijuar si pjesë e Deklaratës Politike të 2023 për Personat e Zhdukur. Takimi me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kryesohet nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian për Reporteri.net.

Në dhjetor të vitit të kaluar, pas takimit mes Kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq kishin rënë “dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

Komisioni i Përbashkët do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

Ditën e djeshme, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, ditën e djeshme, bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

Ai tha se takimi ka për qëllim adresimin e disa çështjeve për personat e zhdukur, ku pala kosovare do të prezantojë disa kërkesa, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.

“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, shkroi Hoti dje në një postim të bërë në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...