Live

Të paktën 37 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

16:28 / 17 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Të paktën 37 palestinezë raportohet të jenë vrarë të mërkurën nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore.

Nga ky numër, 24 persona u vranë në Qytetin Gaza, ku forcat izraelite kanë nisur një sulm tokësor e ajror që ka shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Hamdy Abu Tabq, një palestinez i moshuar, tha për televizionin se detyrimi për t’u zhvendosur në Al-Maëasi është hera e shtatë që ai largohet gjatë luftës në Gaza. Ai fillimisht kishte ardhur nga Jabalia, në veri të Gazës, por tani po detyrohet të largohet nga Qyteti Gaza për shkak të përkeqësimit të sulmeve izraelite.

“Jemi nën bombardime të vazhdueshme dhe vrasje të fëmijëve. Dje u vranë më shumë se 130 njerëz. Jemi të frikësuar e të tmerruar. Nuk mund të flemë natën”, tha i moshuari, raporton “Al Jazeera”.

Ai shtoi se “jam burrë 63-vjeçar. Jam shumë i brengosur për fëmijët, nipat e mbesat e mia. Në shpinë kam vetëm një batanije. Nuk mund t’i lëvizja të gjitha mobiliet duke u zhvendosur për gati 25 kilometra nga veriu në jug. Kjo do të më kushtonte 1 mijë dollarë – krejt çka kam janë 100 dollarë, prandaj m’u desh të lija krejt çfarë kisha”.

Abu Tabq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe t’i japë fund konfliktit, të cilin e quajti “luftë kundër popullit, kundër fëmijëve, kundër grave”.

Shpërndaje në

U Kopjua