Live

Troi dhe Dua emrat më të lënë tek fëmijët këtë vit- Në Kosovë gjeni edhe emra si Hut, Shpenzim, Gjel, KFOR e Plumb

10:45 / 03 Janar 2025

Nga Kosova Live

Kur lind një fëmijë, prindërit gjithmonë kërkojnë emrin më të bukur për t’ia vendosur atij apo asaj. Disa prej tyre preferojnë emrat më të gjatë, por shumica gjatë viteve të fundit po zgjedhin ata me më pak shkronja.

Kështu, prindërit kosovarë gjatë këtij viti kanë preferuar emrat më të shkurtë për pasardhësit e tyre.

Sipas të dhënave të ASK-së, në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë lindur 20 mijë e 51 foshnje, prej tyre 10 mijë e 439 meshkuj, e 9 mijë e 612 vajza.

Kurse emrat më të shpeshtë për djem që janë vendosur këtë vit ishin Troi (151 foshnje), Nil (130 foshnje), Rejan (108 foshnje) Amar (91 foshnje), Jon (91 foshnje).

E gjithashtu, edhe për vajzat prindërit kosovarë kanë preferuar emrat e shkurtër, kryesisht me 3 apo 4 shkronja.

Emri Dua ishte më i shpeshti, ku 376 foshnja u pagëzuan me këtë emër. Pas asaj, 312 vajzave iu vendos emri Ajla. Emrin Hana e morën 281, kurse Inara iu vendos 230 foshnjave. Me emrin Bora u pagëzuan 90 foshnje gjatë këtij viti.

Sa i përket mbiemrave, Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për lajmi.net në fillim të këtij viti, kishte thënë se mbiemrin Krasniqi e kanë mbi 94 mijë banorë.

“Top 10 mbiemrat më të përhapur janë: Krasniqi, Gashi, Berisha, Morina, Shala, Bytyqi, Hasani, Bajrami, Kastrati, Hoti”, thuhej në përgjigjen e MpB-së, kur ishte pyetur se cilët ishin mbiemrat më të shpeshtë të vitit 2023 në Kosovë.

Ndërkaq, Agjencia e Statistikave të Kosovës në uebfaqen e saj ka krijuar një opsion përmes të cilit qytetarët mund të kuptojnë se sa persona e kanë emrin e tyre në të gjithë Kosovën.

Opsioni “kërko emrin” u mundëson qytetarëve e regjistruar si nënshtetas të Kosovës edhe të krahasojnë shpërndarjen e emrit të tyre në qytetet e Kosovës.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2017, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte publikuar “Emrat dhe mbiemrat në Kosovë”. Të dhënat në këtë publikim ishin paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë së Kosovës, i kryer në vitin 2011.

Së paku deri në vitin 2018, emri më i zakonshëm nga gjinia femërore në vend ishte emri Fatime. Gjithsej 8 626 persona e kishin këtë emër.

Ndërsa te meshkujt, emri më i shpeshtë dilte emri Bajram.

E në mesin e disa prej emrave më interesant, apo më të çuditshëm që mund të tingëllojnë janë kësisoj: Aderim, Hut, Shpenzim, Gjel, Pula, Plumb, Dashnor, Veteran, KFOR.

Shumë emra të veçantë kanë vendosur që t’u lënë fëmijëve prindërit shqiptarë.

E në mesin e emrave që u kanë lënë fëmijëve ndër vite ka edhe nga ata që janë motivuar në politikanë.

Në Kosovë ka personalitete që u lanë emrat fëmijëve si kryeministri e presidentja.

Në Kosovë tani për tani janë gjithsej 3 mijë e 518 emra “Albin”, madje në mesin e tyre edhe një femër.

Kurse emrin Vjosa në Kosovë e kanë gjithsej 1 mijë e 268 femra./Lajmi.net/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...