Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur vendimin e administratës së tij për të bllokuar përkohësisht regjistrimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvardit – një masë që u pezullua nga një gjyqtar federal dhe u cilësua e paligjshme nga universiteti.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi: “Pse Harvard nuk thotë se gati 31% e studentëve të tij vijnë nga vende të huaja, e megjithatë këto vende, disa prej të cilave nuk janë aspak miqësore me Shtetet e Bashkuara, nuk paguanin asgjë për arsimimin e studentëve të tyre dhe as nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë“.
Ai shtoi gjithashtu se SHBA ka të drejtë të dijë se kush janë këta studentë të huaj, duke theksuar mungesën e transparencës nga Harvardi, pavarësisht se, sipas tij, universiteti përfiton miliarda dollarë nga shteti.
Të enjten, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Christie Noem, njoftoi revokimin e të drejtës së Harvardit për të pranuar studentë ndërkombëtarë, por një gjyqtar ndërhyri shpejt duke e pezulluar këtë masë. Universiteti e apeloi menjëherë vendimin në gjykatën federale në Massachusetts.
Administrata Trump e akuzon Harvardin për mungesë bashkëpunimi me autoritetet federale dhe për promovim të ideve progresive të majta, përfshirë akuza për antisemitizëm dhe lidhje me Partinë Komuniste Kineze.