Kamera të prodhuara nga një kompani kineze, e cila së voni u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përdoren në vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Kompania kosovare që furnizoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me to thotë se nuk ka shqetësime të sigurisë për kamerat, të cilat, sipas saj, janë në përputhje me kërkesat e sigurisë të SHBA-së dhe të Kosovës.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.
Këto kamera u kontraktuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në fund të vitit 2024, përmes një procesi tenderues, ku fitues doli kompania Besa Security, e cila ofertoi me çmimin prej rreth 699 mijë eurosh.
Në këtë tender parashihej furnizimi me rreth 2.500 kamera, të cilat do të shërbejnë për të vëzhguar vendvotimet dhe për të dëshmuar parregullsitë e mundshme gjatë procesit.
Besa Security i tha Radios Evropa e Lirë se, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, nëntorin e kaluar, kishte bërë porosinë për këto kamera të prodhuara nga kompania kineze Uniview, për të cilën thotë se është distributore ekskluzive për territorin e Kosovës.
Në lidhje me këto kamera ka pasur raportime të mediave lokale, të cilat, ndër të tjera, ngrenë shqetësime lidhur me sigurinë, për shkak se, që nga dhjetori i vitit 2024, Uniview është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në lidhje me këtë, distributorja kosovare thotë se produktet e prodhuara nga Uniview, dhe veçanërisht ato me të cilat e ka furnizuar KQZ-në, janë në përputhje me Aktin Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) të SHBA-së.
“Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis sanksioneve të vendosura ndaj entiteteve të caktuara, dhe kufizimeve që prekin produkte specifike. Produktet [me të cilat kemi] furnizuar [KQZ-në] nuk bien nën asnjë kufizim që do të pengonte përdorimin e tyre për qëllime civile ose institucionale”, thuhet në përgjigjen e Besa Security-t për REL-in.
NDAA-ja është ligj që përcakton nëse pajisje të caktuara konsiderohen të rrezikshme për sigurinë kombëtare amerikane.
Në listën e ndalesave të NDAA-së bëjnë pjesë disa kompani kineze, përfshirë Hikvision-in dhe Dahua-n, por, deri më tani, Uniview nuk figuron pjesë e saj.
KQZ-ja nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it në lidhje me kontraktimin e këtyre kamerave.
Por, në kushtet e tenderit, KQZ-ja kishte përmendur edhe atë se kamerat duhet të jenë në përputhje me NDAA-në.
Ndërkaq, gjatë prezantimit të planeve për vendosjen e kamerave në vendvotime, KQZ-ja kishte siguruar se kamerat nuk do të cenojnë privatësinë e votimit.
“Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër prej ku do të jenë kabinat e votimit, dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënimin e preferencës nga ana e votuesit”, kishte thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në prill të vitit 2024.
Pse u sanksionua kompania kineze nga SHBA-ja?
Sanksionet që u vendosën ndaj Uniview-it janë pjesë e një fushate më të gjerë të qeverisë amerikane për të goditur me sanksione firmat kineze që prodhojnë teknologji vëzhguese, për shkak të “shtypjes ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në rajonin perëndimor të Kinës, Shinxhiang”.
“Roli që qeveria amerikane thotë se Uniview ka pasur është ofrimi dhe, në disa raste, projektimi specifik i pajisjeve dhe softuerëve të mbikëqyrjes, që i lejuan Partisë Komuniste të Kinës t’i identifikonte dhe t’i monitoronte këto grupe etnike”, shpjegon Reid Standish, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Pragë, i cili fokusohet në çështjet globale që lidhen me Kinën.
Shtypja e grupeve etnike në Shinxhiang filloi në vitin 2017, dhe mori hov në vitet e mëvonshme, duke pasur në shënjestër ujgurët dhe grupet e tjera myslimane në Kinën perëndimore, si kazakët etnikë dhe kirgizët.
“E gjithë Kina është e mbikëqyrur rëndë dhe mbështetet në kamera dhe programe të të ashtuquajturit “Qyteti i mençur”, por, gjatë kësaj periudhe, Shinxhiangu u bë një nga vendet më të mbikëqyrura në botë”, thotë tutje Standish.
“Fushata [e shtypjes] çoi në krijimin e një sistemi të gjerë kampesh në Shinxhiang, ku njerëz nga këto grupe etnike u mblodhën dhe u vendosën në të ashtuquajturat kampe të ‘riedukimit’, ku ata u detyruan të mësonin kinezisht, të këndonin këngë patriotike, të mësonin doktrinën e Partisë Komuniste dhe, në shumë raste, iu nënshtruan shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”, shpjegon ai.
Standish shton se “Uashingtoni dhe shumë vende perëndimore e kanë cilësuar këtë situatë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, ndërsa disa organizata ndërkombëtare e kanë quajtur madje spastrim etnik”.
REL-i ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me sanksionet e SHBA-së ndaj kompanive kineze, përfshirë Dahua-n dhe Hikvision-in, të cilat, po ashtu, prodhojnë kamera vëzhguese.
Një hulumtim i REL-it, në vitin 2022, gjeti se kamera të sigurisë, të prodhuara nga këto dy kompani, janë të vendosura nëpër shumë institucione kosovare, përfshirë ndërtesën e qeverisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë vënë sanksione për importin e këtyre pajisjeve.
Sa është e sigurt teknologjia kineze e vëzhgimit?
Përtej çështjeve etike që çuan në sanksionet e SHBA-së, sipas Standishit ka edhe çështje teknike që janë zbuluar me disa prodhues kinezë, të cilat shpesh janë përmendur si arsye për të mos i përdorur ato në ambiente të ndjeshme.
“Shqetësimet mbi të dhënat burojnë pjesërisht nga fakti se sistemet e mbikëqyrjes mbështeten në një farë mase në pajisjet dhe softuerët e prodhuesit të kamerave”, thotë Standish.
Ai shton se përdoruesit finalë mund të vendosin sistemet e tyre të ruajtjes [së të dhënave] dhe të rrjetit, por “të dhënat gjithsesi kalojnë përmes softuerëve të dizajnuar nga prodhuesi, dhe shpesh dërgohen në serverët e kompanisë në Kinë, përmes resë [kompjuterike]”.
“Nuk ka asnjë provë apo rast që tregon se këto kamera janë përdorur për ndërhyrje, e aq më pak për të ndikuar në një zgjedhje. Por, në një kohë kur integriteti i zgjedhjeve është një çështje e madhe në demokracitë e sotme, dobësitë e markave të ndryshme ngritin mundësinë e ndërhyrjeve të jashtme”, thekson Standish.
Kompanitë kineze janë furnizuesit kryesorë të teknologjisë së mbikëqyrjes në botë. Kamerat e tyre janë të lira, të lehta për t’u përdorur dhe për t’u instaluar, dhe ofrojnë performancë të lartë.
Kompanitë si Hikvision dhe Dahua janë pjesërisht në pronësi të shtetit kinez, ndërsa Uniview është një kompani private, por ka marrë pjesë në kontrata të qeverisë kineze për të mbikëqyrur pakicat në Shinxhiang.
Deri më tani, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë vendosur në listë të zezë disa kompani kineze të teknologjisë.
Megjithatë, shumica e vendeve evropiane nuk kanë vendosur ndalime të tilla, por kanë zgjedhur të heqin kamerat kineze nga përdorimi në institucione qeveritare apo ushtarake.
SONDAZH
![Loading ... Loading ...](https://kosovalive.net/wp-content/plugins/wp-polls/images/loading.gif)