Live

U bllokuan thuajse gjitha rrugët: Mbi 88 mijë kosovarë ishin në Shqipëri gjatë vikendit

19:58 / 11 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Kolona të gjata janë krijuar gjatë dy ditëve të vikendit, në pikën kufitare në Vërmicë-Morinë, ku numër i madh i kosovarëve ia mësynë shtetit amë.

Temperaturat e larta dhe ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë të shtunën, bën që të shënohet dalje rekorde e kosovarëve për të kaluar pushimet atje.

E premte, e shtuna dhe e diela ishin tri ditët kur kosovarët morën thuajse të gjithë rrugën për në qytete të ndryshme të Shqipërisë me fokus, Tirana, Durrësi e Shëngjini.

Nga Policia Kufitare e Kosovës, për lajmi.net, kanë thënë se vetëm gjatë këtyre dy ditëve në pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, 26 mijë e 523 automjete dhe 86 mijë e 22 persona kanë lënë Kosovën.

Teksa për të hyrë në Kosovë, janë evidentuar 31 mijë e 58 automjete dhe 96 mijë 619 persona.

“Gjatë vikendit, me 7 dhe 8 qershor 2025, në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, në hyrje për në RKS janë evidentuar 31 058 automjete dhe 96 619 persona, kurse në dalje nga RKS: 26 523 automjete dhe 86 022 persona”, thuhet në përgjigjen e Policisë Kufitare.

Se a pati numër të lartë të pushuesve në Shqipëri e që kryesisht ishin nga Kosova u raportua edhe të dielën, e kjo u pa në bregdetin e Shëngjinit, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e fluksit të automjeteve në zonë.

Dalja masive nga plazhi në orët e pasdites shkaktoi trafik të rënduar që nga zona e Ranës së Hedhun e deri tek kryqëzimi hyrës i Shëngjinit.

Rrjedhimisht, trafiku i rënduar vijonte edhe përgjatë segmentit rrugor Shëngjin-Milot, duke krijuar vonesa dhe bllokime të herëpashershme për drejtuesit e mjeteve.

Ndryshe duket se kosovarët kësaj radhe i kanë nisur pushimet pak më herët në krahasim me vitet paraprake.

Shpërndaje në

U Kopjua