Dragodani u trazua mbrëmjen e sotme nga të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Ferid Curri”. Personi që dyshohet se ishte cak i të dyshuarit u qëllua dhe për pasojë mbeti i plagosur.
Sinjali merr vesh se viktima u qëllua në shpinë dhe se bëhet fjalë për Fatlum Jetullahu – i cili u gjet i shtrirë në rrugë nga Policia.
Nga informacionet e fundit që ka siguruar Sinjali nga emergjenca, bëhet e ditur se i plagosuri tashmë ndodhet në QKUK dhe po trajtohet nga stafi intensiv.
Sinjali gjithashtu ka mësuar ekskluzivisht se personi që po dyshohet se e gjuajti me armë viktimën është identifikuar si Shkodran Humolli.
Motivet dhe rrethanat në të cilat ndodhi ky incident i rëndë në kryeqytet janë akoma të paqarta, teksa tashmë vendi i ngjarjes po ekzaminohet nga njësitë përkatëse policore.
Viktima që u plagos me armë zjarri ka marrë ndihmën mjekësore tashmë në vendin e ngjarjes dhe dyshohet se ka pësuar plagë në shpinë, thonë të njëjtat burime.
Sipas informacioneve të fundit, i plagosuri u qëllua me dy plumba në pjesën e shpinës dhe se u gjet i shtrirë në rrugë nga Policia.
Policia gjithashtu në vendin e ngjarjes ka gjetur dy gëzhoja të plumbave dhe një veturë të braktisur me targat 01-287-EV jo shumë metra larg të të plagosurit
Akoma nuk është konfirmuar nëse vetura e gjetur në vendin e ngjarjes është e personit që dyshohet se kreu veprën.
Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin.