Live

Uji i Badocit mund të përdoret për pije

16:37 / 20 Nëntor 2023

Nga Kosova Live

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i Liqenit të Badocit mund të përdoret për pije.

Përmes një postimi në Facebook IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në bashkëveprim me KRU “Prishtina” kanë ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësimin e gjendjes dhe uljen e vlerave të manganit në nivelin e lejuar për pije.

Njoftohet se vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”.

“Për t’u shpallur uji higjenik dhe i sigurt për pije në zonën e furnizimit nga fabrika e Badocit, në laboratoret e IKSHPK-së, laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit: Më datën 17 nëntor: 0.025-0.05 mg/litër – Më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër – Më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka thënë se bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga liqeni i Badocit gjegjësisht – fabrika në Badoc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”.

“Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në

U Kopjua