Ukraina ka nisur një kundërsulm në rajonin rus të Kurskut, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Përderisa edhe zyrtarët në Ukrainë lanë të kuptohej se një operacion ishte duke u zhvilluar, Moska tha se i është kundërpërgjigjur sulmit me forca artilerie dhe nga ajri, raporton televizioni BBC.
Forcat ukrainase hynë në rajonin Kursk në gusht, duke marrë nën kontroll një pjesë territori. Forcat ruse tashmë kanë sprapsur trupa ukrainase në disa zona, por nuk kanë arritur që t’i dëbojnë ato tërësisht nga Kursku.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, një detashment sulmues ukrainas, i përbërë nga dy tanke, një automjet ushtarak inxhinierik dhe 12 automjete të blinduara luftarake, kreu sulm afër fshatit Berdin rreth orës 9 të mëngjesit të dielën.
Forcat ruse u kundërpërgjigjën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, duke i shkatërruar dy tanket, automjetin ushtarak inxhinierik dhe shtatë automjete të blinduara luftarake. Sipas kësaj ministrie, luftimet vazhduan.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Ria”, publikoi një video të incizuar nga ajri në të cilën shihej një autokolonë e automjeteve të armatosura që po lëviznin nëpër terren rural të mbuluar me borë gjatë ditës. Autokolona po sulmohej dhe disa automjete u goditën, sipas pamjeve.
Televizioni BBC nuk ishte menjëherë në gjendje që t’i vërtetonte pamjet ose pretendimet ruse.
Duke folur më herët, shefi i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, tha se “ka lajme të mira nga rajoni i Kurskut” dhe se Rusia “po e merr atë që e meriton”.
Zyrtari i lartë ukrainas kundër dezinformimit, Andriy Kovalenko, në rrjetin “Telegram” të dielën tha: “Rusët në Kursk janë duke përjetuar ankth të madh, sepse ata u sulmuan nga disa drejtime dhe kjo u erdhi si befasi.”
Thuhet se forcat ukrainase janë duke vuajtur nga mungesa e fuqisë njerëzore dhe kanë qenë duke humbur territor në lindje të Ukrainës muajve të fundit, përderisa trupat ruse kanë avancuar.