Kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se sot është varrosur Cen Brahimaj, qytetari i cili vdiq më 21 gusht si pasojë e një vetaksidenti në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se i ndjeri ka lënë dhimbje të madhe tek familja dhe miqtë.
“Sot në Shqiponjë i dhamë lamtumirën e fundit Cenë Brahimajt, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku. Një ndarje e rëndë nga jeta, që ka lënë dhimbje të madhe te familja dhe miqtë”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj u ka shprehur ngushëllime edhe familjeve të Muslija, Duhaja dhe Spahiaj për vdekjen e familjarëve të tyre gjatë ditëve të kaluara si pasojë e aksidenteve.
“Vetëm pak ditë më parë, në rrethana të ngjashme u ndanë nga jeta edhe dy të rinj, Sadik Muslija nga Dujaka dhe Ilir Spahiaj nga Dubova e Madhe. Bashkëndjej me familjet Brahimaj, Muslija Spahiaj u shpreh ngushëllimet më të sinqerta duke uruar ta gjejnë forcën për ta përballuar dhimbjen”, potencoi Haradinaj.
I njëjti tha se rastet e tilla që po ndodhin shpesh në trafik, i bëjnë të reflektojmë dhe të rrisin vetëdijen për më shumë kujdes në rrugë, që të mos përsëriten tragjedi të tilla.