Live

Vendoset gurthemeli i Kuzhinës Qendrore në Podujevë që do t’i shërbejë 10 mijë fëmijëve

13:56 / 05 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Sot është vendosur gurthemeli i Kuzhinës Qendrore në Podujevë.

Sipas komunikatës për media, kjo kuzhinë do t’i shërbejë 10 mijë fëmijëve, prej çerdheve e parashkollorëve deri te klasat I-IX, njofton Klankosova.tv.

Vlera e këtij investimi u tha se është 700 mijë euro, ndërsa kuzhina do të ketë një sipërfaqe prej 1150 metra katrorë, ku përfshihen salla e restorantit, hapësirat për punëtorë dhe administratë dhe dhomat përcjellëse.

Prezent në ceremoni ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve në njërën anë, dhe për kujdesin e komunës e të qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve në anën tjetër, sepse të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenie e nxënësve”, u shpreh kryeministri Kurti me rastin e vendosjes së gurthemelit. Ai i falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuar deri më tani dhe për punët që do t’i bëjnë në vijim deri atëherë kur do të bëhet përurimi i Kuzhinës Qendrore”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari Bulliqi tha se ky sot është një moment i veçantë për qytetarët e Podujevës. Me këtë kuzhinë, theksoi ai, fëmijët do të kenë mundësi që të kenë ushqim të ngrohtë, dhe kësisoj po bëhen përgatitjet e para që të ecet drejt mësimit gjithë ditor në këtë komunë. Më tej, ai veçoi faktin se Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe publike, kurse mandatin e tij po e përmbyll me nëntë sosh. Në fund falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Komunës dhe qytetarëve të saj.

Sot në Podujevë po ashtu bëhet përurimi i çerdhes në Kërpimeh dhe përurimi i çerdhes në Orllan.

Shpërndaje në

U Kopjua