Live

Vetura me targa të Serbisë dhe me kamera të instaluara konfiskohet nga policia në veri

15:39 / 08 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Vetura e tipit Skoda Octavia, me tabela të Serbisë është konfiskuar nga policia në Mitrovicën e Veriut.

Ngjarja ka ndodhur më 5 shtator (e premte) dhe është raportuar tek sot nga organet e rendit.

Në njofitmin e policisë thuhet se vetura në fjalë kishte dy kamera profesionale të montuara dhe pajisje të GPRS.

E njëjta pas verifikimit në sistemin e policisë ka rezultuar se ishte futur në Republikën e Kosovës në vitin 2022, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Ligjit për Automjete 05/L-132, neni 41, qëndrimi i automjetit në Republikën e Kosovës më shumë se tre muaj konsiderohet i kundërligjshëm dhe i njëjti është proceduar për në Doganën e Kosovës për veprime të mëtejme.

“Gjate një pune hetimore kemi kontaktuar me personin gjegjes ku sot me date 08.09.2025 është paraqitur ne Stacionin Mitrovicë/ Veri personi i cili deklaron se vetura është e “Narodna Banka Srbije ” dhe kjo veture ishte përdorur me herët për transportimin e pareve nga Serbia ne Kosovë”. thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët policorë, në automjet janë gjetur dy Kamerat e vendosura, një DVR dhe një ekran i monitorimit të vendosur në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë 06/L-082. Për këtë arsye, në vendngjarje janë ftuar përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), të cilët kanë konfiskuar pajisjen për procedura të mëtutjeshme ligjore.

Policia e Kosovës rikujton qytetarët se:

1. Bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë 06/L-082, vendosja e kamerave ose pajisjeve të regjistrimit në automjete ose hapësira private pa autorizim dhe pa sinjal informues për publikun është e ndaluar dhe përbën shkelje të privatësisë.

2. Bazuar në Ligjin për Automjete 05/L-132, neni 41, posedimi dhe qarkullimi i automjeteve me targa të huaja në territorin e Kosovës është i kufizuar dhe i lejuar vetëm në afatet e përcaktuara me ligj. Çdo automjet që tejkalon këto afate konsiderohet i kundërligjshëm dhe ndaj tij ndërmerren masa ligjore, përfshirë konfiskimin dhe procedimin në Doganën e Kosovës.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe t’i shmangen veprimeve të kundërligjshme. Çdo shkelje e ligjit do të ndëshkohet me masat e parapara ligjore.

Shpërndaje në

U Kopjua