Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, ka përmbyllur vitin 2024 me një shkrim të gjatë duke uruar Vitin e Ri me shpresë që angazhimet tindividuale dhe kolektive të kurorëzohen me rezultate pozitive në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia.
Postimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Të dashur shqiptarë,
Viti 2024 përmbylli periudhën prej një çerek shekulli nga zbatimi i gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.
Me nismën e anëtarëve të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për gjenocidin, nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë zyrtarisht përkufizohen si gjenocid.
Ajo që është shpresëdhënëse, kjo rezolutë shpreh vendosmërinë e institucionit ligjvënës të Kosovës, që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në rrafshin ndërkombëtar dhe atë kombëtar, me qëllim që të sigurohet ndëshkimi i atyre që kanë planifikuar, që kanë kryer apo që kanë nxitur të kryhet gjenocidi.
Më 16 nëntor 2022, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” u është drejtuar institucioneve të Kosovës me një kërkesë që, lulëkuqja me katër petale, të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Kjo nismë hasi në përkrahje të jashtëzakonshme të intelektualëve të shquar të hapësirës mbarëkombëtare (personaliteteve të kulturës, artit, shkencës dhe sportit); të institucioneve shkencore; udhëheqës partish politike; deputetë të Kuvendit të Kosovës; shoqata anekënd globit tokësor etj. Në nivel të pushtetit lokal, asambletë e 23 komunave të Kosovës e miratuan pothuajse në mënyrë unanime që lulëkuqja me katër petale, të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë. Shpresojmë që gjatë vitit 2025, ky simbol të marrë formë zyrtare nga Kuvendi i Kosovës.
Me qëllim që të jemi sa më të suksesshëm përballë mohimit të vazhdueshëm të gjenocidit nga ana e shtetit serb, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” e sheh të domosdoshme koordinimin e veprimtarisë së saj me institucionet politike, shkencore dhe shoqatat atdhetare anekënd globit tokësor me qëllim që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht.
Vetëm duke u angazhuar për të ngadhënjyer drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit, për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre, ne mund t’i urojmë njëri-tjetrit një vit të ri të përpjekjes për të mbyllur plagën e gjenocidit që kullon gjak, dhembje dhe vuajtje të qindra mijëra familjeve shqiptare.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ju uron Vitin e Ri 2025, me shpresë që angazhimet tona individuale dhe kolektive të kurorëzohen me rezultate pozitive në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia.
Gjenevë, 31 dhjetor 2025
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”