Live

Vjedh si burrat, viktimizohet si grua

14:29 / 30 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Shkruan Doruntina Meha

Kosova ka gra të forta. Gra që e kanë sfiduar varfërinë, paragjykimin, dhunën dhe padrejtësinë dhe nuk janë ndalur asnjëherë. Janë gra që kanë arritur me mund, me dije dhe me punë të pakompromis, dhe sot mbajnë familje, udhëheqin biznese, vendosin drejtësi, edukojnë breza dhe kontribuojnë për vendin më shumë se kushdo. Janë gra që nuk kërkojnë favore por luftojnë fortë për të drejtën e tyre. Për to, barazia nuk është slogan, është realitet i fituar me mund. Dhe është për këto gra që ne kemi detyrim ta mbrojmë seriozisht kauzën e të drejtave të grave.

Në një shoqëri ku gratë ende dhunohen, rrihen e vriten nga burrat ose heshtin nga frika për të jetuar me dinjitet është një fyerje e rëndë që pushteti të përdorë feminizmin si mburojë për korrupsionin, paaftësinë apo dështimin politik. Ky keqpërdorim nuk është vetëm manipulim i një kauze të ndjeshme; është dëm i drejtpërdrejtë për gratë që kanë nevojë për mbrojtje reale dhe për shoqërinë që po përpiqet ta trajtojë seriozisht barazinë gjinore.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli është akuzuar publikisht se familjarët e saj vëllai dhe daja kanë përfituar nga 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, edhe pse nuk kanë pasur asnjë veprimtari të mirëfilltë bujqësore. Për më tepër, një OJQ e bashkëthemeluar nga bashkëshorti i saj dhe burri i motrës së saj ka përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Përballë këtyre dyshimeve të rënda, ajo zgjodhi të mos japë llogari, por të sulmojë gazetaren e RTK-së duke u viktimizuar dhe pretenduar se po sulmohej vetëm pse është grua.

Ky është abuzim klasik me nocionin e feminizmit. Viktimizimi i qëllimshëm është strategji për të shmangur përgjegjësinë. Nuk është hera e parë që ndodh dhe për fat të keq, nuk është as rasti i vetëm. Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, është viktimizuar në mënyrë të ngjashme. Pasi ka dështuar të zgjidhet 54 herë si kryetare e Kuvendit, ajo dhe partia e saj në secilen dalje publike ka thënë se refuzimi i saj ka ndodhur “sepse është grua”. Në të vërtetë, deputetët nuk e kanë refuzuar për gjininë, por për arrogancën, përçarjen dhe paaftësinë për të ndërtuar unitet cilësi që janë parë dhe ndjerë qartë gjatë gjithë veprimit të saj politik.

Feminizmi nuk është mburojë për të shpëtuar nga llogaridhënia. Nuk është kartë për të heshtur median. Nuk është uniformë për të fshehur interesat e përfitimeve personale. Nëse një burrë do të ishte përballur me këto akuza, do të kërkohej dorëheqja e tij. Nëse një burrë do të dështonte 54 herë në Kuvend, do të përjashtohej si i konsumuar politikisht. Të njëjtat standarde duhet të vlejnë edhe për gratë në pushtet nëse vërtet besojmë në barazi.

Kur gratë përdorin feminizmin për të shmangur përgjegjësinë, dëmtojnë vetë gratë. Kur përfaqësimi i gruas bëhet mburojë për korrupsion apo dështim, atëherë çdo hap i bërë nga lëvizja për barazi rrezikon të zhbëhet. Kauza nuk është për t’u përdorur. Kauza është për t’u mbrojtur me ndershmëri, me dinjitet, me përgjegjësi.

Gratë e Kosovës nuk kanë nevojë për përfaqësuese që fshihen pas gjinisë sa herë që kapen në konflikt interesi. Kauza për barazi nuk ka vend për hipokrizi. Dhe shoqëria jonë nuk mund të tolerojë më abuzimin e një beteje të drejtë për të mbrojtur sjellje të padrejta.

Ky nuk është më një debat për të drejtat e grave është për integritetin e tyre. Dhe kur ky integritet shkelet nga vetë ato që pretendojnë se e përfaqësojnë, dëmi nuk është personal. Është kolektiv. Është politik. Është moral.

Të vjedhësh si burrat dhe të fshihesh pas faktit që je grua nuk të bën as feministe, as lidere të bën pjesë e problemit. Dhe Kosova ka nevojë të çlirohet edhe nga kjo: nga hipokrizia që e mban feminizmin peng për interesa personale.

Shpërndaje në

U Kopjua