Live

Votohet buxheti i Mitrovicës së Jugut për 2025, Hamza paralajmëron projekte të rëndësishme

16:00 / 23 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka njoftuar për votimin e buxhetit të Komunës, duke paralajmëruar hapjen e rrugës “Ali Zeneli” dhe “shumë projekte të rëndësishme”.

“I lumtur që u votua Buxheti i Mitrovicës së Jugut për vitin 2025 dhe që me votat e asamblistëve u krijuan mundësitë e hapjes së rrugës “Ali Zeneli”, ku jetojnë qindra familje, të cilën asnjë qeverisje lokale nuk kishte mundur ta hapte në këto dy dekada për shkak të vështirësive që janë të njohura për të gjithë mitrovicasit”, shkroi Hamza në një postim në Facebook.

“Hapja e kësaj rruge do ta shkarkojë jashtëzakonisht shumë komunikacionin dhe do të hapë perspektivë të re ekonomike për banorët e kësaj zone. Dhe, po ashtu, perspektivë të re do të hapin edhe shumë projekte të rëndësishme dhe me ndikim të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve që do të realizohen me buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm”, shtoi ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër i ka falënderuar asambleistët e të gjitha partive politike për ” vendimmarrjen e përgjegjshme në të mirë të qytetarëve dhe komunës sonë”.

“Me punë e përkushtim, duke i kuptuar drejtë brengat e qytetarëve, ne po e përmbushim synimin tonë për ndryshimin e Mitrovicës!”, shkruan Hamza.

Shpërndaje në

U Kopjua