Live

VV shpërthen në akuza të pabaza ndaj QUINT-it për Listën Serbe, thotë se po mbron një organizatë kriminale

18:21 / 01 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe ka akuzuar pa bazë ambasadorët e vendeve perëndimore për ndërhyrje.

Ai tha gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së se “Gjykata Supreme vetëm i ka delegjitimuar anëtarët e KQZ-së” me vendimin që Lista Serbe duhet të certifikohet. Krasniqi shtoi se “Nuk mendoj që shteti duhet të bjerë në nivelin e këtyre presioneve” dhe përmendi “diplomatët e huaj”, që sipas tij po përpiqen ta “legalizojnë” këtë parti.

“Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç”, tha ai. Ai e quajti vendimin e Supremes për certifikimin e Listës Serbe si “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” dhe shtoi: “I mbuloftë turpi”, duke paralajmëruar se ata do të japin “përgjegjësi herët ose vonë”.

Krasniqi gjithashtu tha se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta” dhe shtoi: “Edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje, për hesape të tyre të ngushta apo të karrierës politike”.

Ai tha se certifikimi i Listës Serbe po shkakton “dëm të madh” procesit zgjedhor të 12 tetorit. “Dëm i rëndë për këto zgjedhje. Ky dëm do të reflektojë edhe në proceset zgjedhore në të cilat Lista Serbe pretendon të garojë”, tha Krasniqi.

“Aty nuk do të ketë demokraci ku garon Lista Serbe, e dinë ambasadorët e QUINT-it, vetë e kanë deklaruar. Edhe ata janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale për hesape të tyre politike të ngushta apo karrierës së tyre politike. Vendimmarrje e qëllimshme si rezultat i presioneve, si nga ambasadorët, ashtu edhe nga diplomatët që sillen këndej, e shërbëtorëve që shkojnë poshtë e lartë”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, pati akuza të ngjashme.

“Gjykata Supreme ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe, i delegjitimon anëtarët e KQZ-së që kanë kompetencë ligjore për certifikim ose moscertifikim”, deklaroi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua