Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, do të realizojë një vizitë në rajon, ku do të qëndrojë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Vizita e tij do të fillojë nga sot, e mbaron më 11 janar.
Në njoftimin e publikuar nga Departamenti i Shtetit thuhet se në Kosovë ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike.
“Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet në njoftim.
Në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve afganë.
“Në Serbi, Zëvendës Sekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit thuhet se Verma do do të rikonfirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.
Ndryshe, Verma ka realizuar sonte një takim me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Për këtë ka njoftuar vetë Lajçak.
“Përfundova vizitën time në Washington DC me një bisedë shumë të vlefshme me Richard Verma. E informova atë për zhvillimet në rajon dhe dialogun dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë SHBA-BE në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.