Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma ka thënë se hetimi i FBI-së për sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës po vazhdon ende, derisa foli edhe për marrëdhëniet e ShBA-së me Kosovën.
Në një intervistë në “KTV”, ai ka thënë se “veprimet e njëanshme, mund të dërgojnë në sinjale të gabuara”.
“Sërish, një ndër arsyet përse dëshiroja të vija këtu është zotimi ynë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm ndaj popullit të Kosovës. E kam parë përparimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë gjatë shumë e shumë viteve dhe jam mjaft i kënaqur dhe mjaft i sigurt se ku kemi arritur. Kur kemi sfida apo mosmarrëveshje, flasim hapur për to. Dhe e përmenda se ndonjëherë veprimet e njëanshme, për shembull, si mbyllja e disa institucioneve, mund të dërgojnë gjithashtu sinjalin e gabuar se ku përshtaten serbët e Kosovës në shoqëri dhe mendoj se kjo ka qenë sfiduese për përparimin e vazhdueshëm në diskutimin e lehtësuar ndërmjet dy shteteve…”
Verma ka theksuar se ShBA dënon sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, derisa vlerësoi punën e Policisë së vendit dhe shërbimeve emergjente.
“Ne i dënojmë sulmet e planifikuara kundër infrastrukturës dhe vlerësojmë gjithçka që Policia e Kosovës dhe shërbimet emergjente bënë për të reaguar aq shpejt. Gjithashtu, ne kemi ofruar tërë mbështetjen e mundshme për hetime përmes kolegëve tanë nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë. Këto hetime po vazhdojnë dhe do t’i nxisja të gjithë që të presin përfundimin e tyre para se të shpallin dikë përgjegjës. Por, këto lloj sulmesh janë të papranueshme në çfarëdo rrethane”.
Pyetur nëse ka të reja nga hetmi i FBI-së, ai shtoi se puna po vazhdon me “agresivitet” për të gjetur kryesit e veprës.
“Hetimet po vazhdojnë ende dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë. Të presim dhe të shohim se çfarë përfundimi do të nxjerrin ekipet. Mendoj se ata po punojnë me mjaft agresivitet për të gjetur kryesit e veprës ashtu që ata të japin llogari” – ka thënë zyrtari amerikan.
Ndryshe, Verma sot ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Ai po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Tiranën e Beogradin.