Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka shkruar për vizitën që do ta zhvillojë në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, këtë javë.
Verma ka thënë se gjatë kësaj vizite do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta çuar më tej bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Reporteri.net.
“Mezi pres të udhëtoj në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi këtë javë për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Verma në llogarinë e tij në platformën “X”.
Për vizitën e tij ka njoftuar mbrëmë Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në njoftimin e publikuar nga Departamenti i Shtetit thuhet se në Kosovë ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike.
“Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet në njoftim.
Në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve afganë.
“Në Serbi, Zëvendës Sekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Verma ka realizuar mbrëmë një takim me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Për këtë ka njoftuar Lajçak.
“Përfundova vizitën time në Ëashington DC me një bisedë shumë të vlefshme me Richard Verma. E informova atë për zhvillimet në rajon dhe dialogun dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë SHBA-BE në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.