Zyrtari i talibanëve hedh poshtë shpresën e Trumpit për të “marrë përsëri” bazën ajrore afgane
Një zyrtar i talibanëve ka hedhur poshtë idenë se ShBA-ja mund të rimarr një bazë ajrore kyçe në Afganistan, pasi presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se e donte atë përsëri.
Zakir Jalal, i cili punon në Ministrinë e Jashtme të talibanëve, tha se ideja që ShBA-të të mbajnë çdo prani ushtarake në Afganistan u hodh poshtë “plotësisht” gjatë bisedimeve midis dy palëve përpara se talibanët të ktheheshin në pushtet.
Kjo ndodhi pasi presidenti amerikan la të kuptohej se rimarrja e bazës ajrore të Bagramit – epiqendra e forcave të NATO-s në Afganistan për dy dekada – mund të jetë e mundur “sepse ata kanë nevojë për gjëra nga ne”.
Baza iu dorëzua ushtrisë afgane pak para se talibanët të merrnin kontrollin e Afganistanit.
Trump tha në një konferencë shtypi në Mbretërinë e Bashkuar të enjten se ShBA-ja “u dha atyre falas”.
Tërheqja e plotë e trupave amerikane ishte pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar gjatë administratës së parë të Trump në vitin 2020 dhe përfundoi nën qeverisjen e Joe Biden në vitin 2021.
Por Trump tha në mars se kishte planifikuar ta mbante bazën ajrore të Bagramit “jo për shkak të Afganistanit, por për shkak të Kinës”.
Trump përsëriti rëndësinë e vendndodhjes së saj të enjten, duke thënë se një arsye për ta marrë përsëri Bagramin ishte sepse “është një orë larg nga vendi ku Kina prodhon armët e saj bërthamore”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.