Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjalimi në Forumin e parë Ekonomik të Kosovës në Paris, ka potencuar se Kosova po bën investime masive në infrastrukturë.
“Nga autostradat moderne që na lidhin me Ballkanin e deri te projektet dixhitale. Ne po ndërtojmë bazat për rritje të qëndrueshme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij ekzekutivi kosovar aktualisht po planifikon mbi 50 projekte infrastrukturore.
“Projekte këto do të riformësojnë sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë, duke kërkuar një investim prej më shumë se 7 miliardë euro”, ka shtuar ai.
Kurti premtoi se ndërtimi i autostradës së Gjilanit, si dhe zgjerimi i rrugës magjistrale për Podujevë dhe ajo për Mitrovicë do të kryhen brenda një kohe rekorde, por as më shumë se tre vjet e gjysmë qeverisje asnjë nga këto projektet e nisura nga Qeveritë e kaluara nuk po marrin fund.
Qeveria ka bilanc jo të mirë edhe në investimet kapitale, meqë rreth 70 për qind e projekteve të parapara për 2023 nuk filluan.
Ndërkohë në gjashtë muajt e parë të këtij viti Qeveria e Kosovës realizoi vetëm 21 për qind të investimeve kapitale.
Për tre vjet qeverisje buxheti për projektet kapitale kaloi në suficit.