Në bashkëbisedimin me të rinjë të realizuar nga Jeta Xharra ndonëse kishin konfirmuar pjesmarrjen nuk kanë qenë prezent gjithë të ftuarit, kandidatë për kryeministër.
Aty ka qenë i pranishëm vetëm Fatmir Limaj e Albin Kurti. Ky i fundit ka kërkuar që bashkëbisedimi të zhvillohet ndaras e jo bashkë me zotin Limaj. Në reagimin e Nismës thuhet se Kurti ka refuzuar përballjen me kandidatin e tyre për kryeministër.
Reagimi i plotë i Nismas:
Për hir të informimit të drejtë të publikut,
Sot, kandidati për kryeministër të vendit, Fatmir Limaj, i është përgjigjur ftesës të Kongresit Kombëtar të të Rinjve të Kosovës, me ç’rast nën moderimin e znj. Jeta Xharra, ka pasur një bashkëbisedim me të rinj dhe studentë të Kosovës.
Bashkëbisedimi ka qenë i paraparë të bëhej me praninë e të gjithë kandidatëve për kryeministër të vendit.
Mbrëmë na është konfirmuar nga organizatorët se vetëm z. Kurti nga kandidatët tjerë ka pranuar të jetë në panelin e diskutimit, bashkë me të cilin do të ishte z. Limaj.
Por, sot në mëngjes jemi njoftuar nga organizatori që z. Kurti ka kërkuar që bashkëbisedimi me të rinjtë të bëhet ndaras dhe jo bashkë me z. Limaj.
Konsiderojmë se debati me të rinjtë i ka dhënë rezultatet e veta dhe z. Limaj do të vazhdojë ta shpalosë programin tonë zgjedhor, duke i respektuar dhe pasur parasysh kërkesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.