Live

Pasi kritikoi Kurtin, Walker lavdëron Escobarin: Shumë i talentuar e inteligjent

15:23 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka dhënë një intervistë të gjatë për KTV-në, ku ka folur për shumë çështje, përfshirë qeverisjen e kryeminsitrit Albin Kurti e dialogun me Serbinë.

Por z. Walker ka pasur fjalë të mira për Gabriel Escobarin, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili u kritikua nga militantë të VV-së e gazetari Enver Robelli.

“100 për qind e njerëzve që po merren me këtë çështje sot janë sikurse 50 për qind e popullatës këtu që ishin shumë të rinj kur gjërat e këqija po ndodhnin në Kosovë. Nëse di diçka se si ndodhin ngjarjet nëpër botë, e di se dita që e merr një vend punë, historia fillon. Kurrë s’e kam takuar z.Eskobar. Jam i sigurt që është një i ngarkuar amerikan shumë i talentuar e inteligjent. Nëse është informuar në Ëashington para se ta merrte këtë pozitë, siç isha informuar unë në shumë raste kur erdha këtu, ju informoheni aq sa të keni njohurinë e duhur për të marrë vendime të mira.” – tha z. Walker.

Ndryshe, ish-ambasadori amerikan ka kritikuar Kurtin në lidhje me mënyren se si po e menaxhon marrëdhënien me ShBA-në.

“I kam pyetur njerëzit se si po qeveris Kurti. E njoh Kurtin qe 24 vjet, por e kam takuar vetëm një herë prej se është kryeministër. Kam dëgjuar nga njerëzit se po merret me luftën kundër korrupsionit, po provon të vendosë njerëz të mirë nëpër pozita, jo vetëm të Vetëvendosjes, po e bën këtë e atë. Por ai nuk është duke e trajtuar mirë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara në mënyrë e duhur. Kurti po sjell çështje dhe po bën gjëra të kundërta para fytyrës e kundërshtimit amerikan.” – ka thënë Walker.

“A pajtohem me të bërat, me ato që po bën apo që do të bëjë Albin Kurti? Me siguri se jo. Por unë vërtet besoj se ai po i bën gjërat që mendon se janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, dhe asgjë që përbën rrezik për Kosovën. Për këtë i duartrokas.” – ka thënë ndër të tjera ai.

Shpërndaje në

U Kopjua