Live

Partitë opozitare nuk tregojnë nëse Escobarit ia premtuan Asociacionin

20:25 / 03 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Me përjashtim të Ramush Haradinajt, i cili nga SHBA-ja tha se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel, liderët e tjerë opozitarë, të cilët takuan emisarin amerikan, Gabriel Esocbar, nuk kanë treguar nëse do të kërkojnë që Asociacioni të krijohet, duke marrë për bazë marrëveshjet të cilat vetë i kanë nënshkruar sa ishin në Qeveri. Zyrtarë të AAK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të bëhen partnerë alternativë në themelimin e Asociacionit

Partitë opozitare nuk i kanë zbardhur arsyet e takimeve që zyrtarë të saj kanë zhvilluar këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përtej pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë treguar në rrjetet sociale për takimin me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

KOHA ka pyetur në zyrat e këtyre partive nëse kanë ofruar mbështetje për themelimin e Asociacionit, sipas kërkesës së Escobarit. Ky i fundit, pas njërit prej takimeve me kryeministrin Albin Kurti kishte deklaruar se një njeri nuk mund ta bllokojë themelimin e Asociacionit.

Derisa qëndrimi i partive të tjera opozitare rreth Asociacionit nuk ka qenë i qartë, Haradinaj i AAK-së nga SHBA-ja tha se obligimi i marrë përsipër duhet të zbatohet.

“Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet. Prandaj të gjithë ata që Asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin tek Asociacioni, por duan që Asociacionin ta përdorin si ‘mbulesë’ për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. Këtë po e bën Serbia, e fatkeqësisht këtë po e bën edhe kryeministri i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. “Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i planit evro-amerikan. Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj, që është ‘marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë’, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA-në dhe BE-në”.

Por një eksponent i partisë së Haradinajt ka folur për rrethanën në të cilën opozita mund të bëhet partnerë alternativë për Asociacionin.

“Në afat të gjatë mund të jemi partnerë alternativë. Nëse shkaktohen zgjedhje, shkojmë në ‘status quo’ sepse ato do të shkaktojnë krizë dhe deri në formimin tjetër të qeverisë mund të shkojnë gjashtë muaj dhe ndërkohë situata mund të ndërrojë edhe në aspektin diplomatik. Dhe ndoshta mund të jemi partnerë alternativë”, ka thënë Labinot Bislimi (AAK), në emisionin “60 minuta” të KTV-së.

Por ka shtuar se nuk mund të vendoset gjithçka nga vizita e fundit e Haradinajt në SHBA.

“Janë krejt normale vizitat e tij që bëhen. Por nuk është z. Haradinaj ai që mund të vendosë sot sepse jemi opozitë, kur në krye të Qeverisë është z. Kurti”, ka theksuar Bislimi.

Ai e ka përjashtuar edhe mundësinë e krijimit të një qeverie teknike.

”Si do të bëhet ajo qeveri teknike kur z. Kurti i ka 50 qind, ai e ka në dorë ose ta formojë Asociacionin ose të japë dorëheqje”, ka theksuar anëtari i kryesisë së AAK-së.

Ndërkaq kreu i PDK-së nuk e ka përmendur Asociacionin, duke e vënë theksin te dialogu për marrëveshje me njohje reciproke.

“Gjatë vizitës zyrtare në SHBA, takova zëvendësndihmësin e sekretarit të Shtetit, që është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon. Z. Escobar i shpreha edhe një herë qëndrimin e vazhdueshëm të PDK-së në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, që përfshin njohjen reciproke”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, rreshtimi dhe koordinimi i Kosovës me SHBA-në është i paalternativë në rrugën e integrimit dhe forcimit të shtetit.

“Fuqizimi i raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm”, ka theksuar ai.

Në Ambasadën amerikane nuk janë përgjigjur rreth takimeve të Escobarit me liderët e opozitës, as nëse janë në kërkim të modaliteteve që mundësojnë themelimin e Asociacionit, përfshirë edhe ndryshimet në Qeveri.

Kjo Ambasadë të martën organizoi edhe një tryezë për Asociacionin me zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe grupe të tjera të interesit. Pas takimit, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, kërkoi vizion të ri dhe rikonfigurim të përpjekjeve nga ana e Qeverisë së Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Diplomati amerikan e ka përsëritur se nuk mbështesin asnjë aranzhim, i cili shkel Kushtetutën e Kosovës apo kërcënon sovranitetin e Kosovë.

Por kryeministri Kurti, i cili nuk ishte ftuar në takim, e kishte quajtur të padrejtë insistimin e ndërkombëtarëve rreth Asociacionit, duke kërkuar që 33 marrëveshjet me Serbinë të trajtohen në mënyrë të drejtë.

Në seancën e së martës në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja e LDK-ja, të cilat kishin nënshkruar marrëveshjet e Brukselit për Asociacionin, e akuzuan kryeministrin Kurti se ka ndryshuar qëndrim dhe se është pajtuar për themelimin e këtij mekanizmi. Por Kurti mohoi se angazhohet për krijimin e një Asociacioni sipas marrëveshjeve të kaluara, teksa prezantoi gjashtë kushtet e tij për këtë mekanizëm, në mesin e të cilave është njohja reciproke me Serbinë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...