Live

Sveçla në BBC pyetet se a do të kthehet Kosova në dialog: Ka një rrugë kthimi në negociata

09:57 / 26 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shpjeguar në BBC se si ndodhi ngjarja e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku nga një sulm terrorist.

Sveçla tregoi se ishin njësi normale të policisë që po bënin punën e tyre të zakonshme kur u përballën me sulmin terrorist.

BBC pati një pyetje për ministrin Sveçla rreth mundësisë së përkeqësimit të situatës dhe nëse Kosova do të kthehet në tavolinën e dialogut.

“A frikësoheni nga rikthimi i dhunës së tmerrshme të të 90-ave apo ka një rrugë kthimi në tavolinën negociuese”, pyeti BBC.

“Ka një rrugë kthimi në negociata. Padyshim që ajo që duam të bëjmë është që të sigurojmë që të gjithë të ndihen të sigurt dhe ne sigurojmë sundim të ligjit dhe siguri për secilin qytetar, pavarësisht etnisë”, u përgjigj Sveçla.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake.

Në vendin ku do të bëhet çarmatimi, u pa një arsenal armësh të ndryshme, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Shpërndaje në

U Kopjua