Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se politikat e lidershipit aktual të vendit kanë pamundësuar diskutimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se ata që nuk e mbështesin synimin shtetëror të Kosovës për anëtarësim në NATO, jo vetëm që janë shkurtpamës, por sipas tij, nuk e dinë pse i mbajnë postet që kanë.
“I mrekullueshëm do të ishte lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO! Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë.
Pjesëmarrja e Kosovës në çfarëdo forumi që ndërlidhet me NATO-n, përfshirë edhe ftesën e Presidentes që të jetë pjesë e aktivitetit për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s, është nder për vendin, për çka u jemi mirënjohës aleatëve!
Udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO. Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dijnë pse i mbajnë postet që i kanë”, shkroi ai.
Ndryshe, udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.
Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.
Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.
Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.
Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.
Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv.